Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur, se në 70-vjetorin e lindjes së Heroit Sali Çekaj, ka nënshkruar vendimin për aktin nënligjor që rregullon ndarjen e çmimit me emrin e tij.
Sipas saj, çmimi “Sali Çekaj” dedikohet për personalitetet që kanë dhënë kontribut të veçantë në fushën e drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Përmes një njoftimi në rrjete sociale, Gërvalla ka vlerësuar figurën e Sali Çekajt si një prej personaliteteve më të shquara të historisë së Kosovës, duke theksuar rolin e tij si “komandant i UÇK-së, politikan vizionar dhe jurist i dalluar”.
“Figura e Sali Çekajt, krahas figurës së komandantit të UÇK-së dhe politikanit vizionar, me përkushtim të parezervë për lirinë e vendit deri në flijim në ballë të frontit, rrezaton edhe si figurë e një juristi të rrallë, të guximshëm, mendjemprehtë e të vendosur. Figurë që frymëzon breza e breza juristësh në vendin tonë”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo shtoi se çmimi që mban emrin e Heroit Sali Çekaj synon të vlerësojë individët me kontribut të veçantë në drejtësi, duke shërbyer njëkohësisht si nderim për veprën dhe trashëgiminë e tij.
Komandant Sali Çekaj, që u vra më 19 prill 1999 në krye të detyrës, në Koshare, si komandant i Brigadës 134, konsiderohet si njëri ndër strategët më të shquar të luftës së Kosovës.





