Në fillim të dekadës së ardhshme pritet që prodhuesit e parë të automjeteve të arrijnë prodhim në shkallë më të gjerë të baterive me elektrolit të ngurtë, duke shënuar një hap të rëndësishëm për industrinë e makinave elektrike.
Dy kompani të mëdha kanë regjistruar zhvillime të rëndësishme në këtë drejtim. Më 4 shkurt, QuantumScape, kompani e mbështetur nga Volkswagen, inauguroi një fabrikë pilot në San Jose, Kaliforni. Vetëm një ditë më pas, Karma Automotive bëri të ditur bashkëpunimin me Factorial Energy për të realizuar prodhimin e parë amerikan të baterive të ngurta për automjete elektrike.
Factorial Energy ka partneritete të rëndësishme me marka si Mercedes, Stellantis dhe Hyundai, ndërsa synon të nisë prodhimin masiv deri në vitin 2029.
Njëkohësisht, prodhues të tjerë të mëdhenj si Toyota, BYD dhe Nissan kanë paralajmëruar se planifikojnë të lansojnë automjetet e para të pajisura me këto bateri në periudhën 2027–2030.
Bateritë me elektrolit të ngurtë konsiderohen revolucionare, pasi ofrojnë densitet më të lartë energjie, nivel më të madh sigurie, menaxhim më efikas të nxehtësisë dhe kohë më të shpejtë karikimi.
Megjithatë, sfidë mbetet kostoja e lartë e prodhimit, ndërsa kapacitetet fillestare do të jenë të kufizuara, çka nënkupton se në fazën e parë këto bateri do të përdoren kryesisht në segmentin premium të tregut.






