Në raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2023”, të publikuar nga Instituti GAP thuhet se nga trendi në tri vitet e fundit, në vitin 2023, transparenca buxhetore e komunave pati rënie, me një mesatare të pikëve prej 57.5.
“Kjo rënie në vitin 2023 është ndikuar në veçanti nga problemet teknike për qasje në ueb-faqet e pesë komunave, si: Skënderaj, Peja, Kamenica, Mitrovica e Jugut dhe Prizreni, për të cilat këtë vit nuk është bërë vlerësim. Kjo është bërë me qëllim që të mos penalizohen këto komuna për shkak të problemeve që nuk varen prej tyre, duke pasur parasysh se menaxhimi i ueb-faqeve të komunave është kompetencë e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI). Nga gjithsej 100 pikë të vlerësimit, 20 komuna kaluan mesataren e pikëve, ndërsa katër komuna arritën maksimumin prej 100 pikëve: Drenasi, Hani i Elezit, Lipjani dhe Vushtrria”, thuhet në publikim.
Më tej thuhet se në bazë të dokumenteve buxhetore të publikuara, dëgjimeve buxhetore të mbajtura dhe formatit të publikimit të dokumenteve, 12 komuna kanë shënuar progres në vlerësimin me pikë krahasuar me vitin paraprak, 16 komuna kanë shënuar regres, ndërsa 5 komuna kanë pikë të njejta sikur vitin e kaluar.
“Progresin më të madh në vlerësim të këtij viti e kanë shënuar Komuna e Kaçanikut (+31.5 pikë), Mitrovicës së Veriut (+25 pikë), dhe Ferizajt (+24 pikë). Ndërsa, regresin më të madh në vlerësimin e këtij viti e kanë shënuar Komuna e Graçanicës (-37 pikë), Mamushës (-20 pikë), Gjilanit (-16.5 pikë), Parteshit dhe Ranillugut (-15 pikë)”, thuhet në raportin e GAP.
GAP po ashtu njofton se gjithsej 33 komunat e vlerësuara kanë publikuar 207 dokumente buxhetore.
Dokumentet më të publikuara gjatë vitit 2023 ishin raporti vjetor financiar për vitin 2023 dhe rregullorja për ndarjen e subvencioneve. Në anën tjetër, dokumentet më pak të publikuara ishin kartela analitike e kontos për shpenzimet e buxhetit të vitit 2023, raporti financiar për tremujorin e dytë (TM2) për vitin 2023 dhe listat e përfituesve të subvencioneve. Publikimi i buxhetimit të përgjegjshëm gjinor ka shënuar regres meqë është publikuar nga vetëm 12 komuna (nga 22 në vitin 2022).