22 C
Pristina
Tuesday, May 5, 2026

Futja në Listën e Zezë | Gjykata Komerciale vendos masë sigurie kundër OSHP-së për rastin e kompanisë “N & B” sh.p.k.

Gjykata Komerciale e Kosovës, përmes Dhomave të Shkallës së Parë, ka marrë një vendim domethënës duke pezulluar ekzekutimin e sanksionit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ndaj kompanisë “N & B” sh.p.k. me seli në Skenderaj. Ky vendim vjen pasi kompania ishte futur në të ashtuquajturën “Lista e Zezë”, gjë që do t’i pamundësonte pjesëmarrjen në prokurim publik për një periudhë tre-mujore.

Konflikti administrativ nisi pas një vendimi të OSHP-së (nr. 1873/25) të datës 9 mars 2026, i cili aprovonte ankesën e Autoritetit Kontraktues, K.R.U Prishtina, për diskualifikimin e operatorit “N & B” sh.p.k.. Kompania akuzohej se gjatë aplikimit në tenderin për “Rehabilitimin i rrjetit të ujësjellësit Skullan, Ribar i Vogël dhe Batllavë”, kishte dorëzuar dëshmi me përmbajtje të rreme apo të falsifikuara.

Në këtë proces, kompania “N & B” sh.p.k. përfaqësohet nga avokati Taulant Ferizi nga Prishtina. Mbrojtja ka argumentuar para gjykatës se klienti i tyre nuk ka pasur asnjë njohuri për këtë procedurë tenderuese. Sipas tyre, operatori ekonomik “Keni Construction” sh.p.k. ka përdorur emrin, të dhënat dhe identitetin afarist të “N & B” sh.p.k. në mënyrë të paautorizuar, duke krijuar një konzorcium fiktiv pa dijeninë e paditësit.

Për të bindur gjykatën për domosdoshmërinë e masës së sigurisë, kompania ka paraqitur shifra specifike të dëmit që do të pësonte nga bllokimi tre-mujor.

Paditësi ka theksuar se diskualifikimi do t’ia pamundësonte nënshkrimin e kontratës për aktivitetin e prokurimit Nr. 203-25-8175-5-1-1, vlera e të cilit kap shifrën prej 7,000,000.00€.

Po ashtu, është përmendur rreziku i humbjes së kontratës për procedurën Nr. 616-25-1830-5-1-1, me vlerë prej 780,000.00€.

Kompania deklaroi se pothuajse i gjithë operimi i saj bazohet në kontrata publike dhe diskualifikimi do t’ia pamundësonte përfitimin e shumës prej 1,000,000.00€.

Pa këto të hyra, propozuesi ka argumentuar se nuk do të ketë mundësi të gjenerojë mjete për të paguar këstet mujore të kredive pranë bankave komerciale në Kosovë.

Gjyqtarja e rastit, Vlerona Maliqi, ka vlerësuar se kërkesa e kompanisë është e bazuar, duke cituar nevojën për parandalimin e dëmeve të pariparueshme:

“Gjykata vlerëson se janë plotësuar kushtet nga neni 100 par.1 dhe 2 i LKA-së për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të kërkuar, pasi që paditësi/propozuesi i sigurimit pretendimet e paraqitura në propozim i ka mbështetur në argumente të qëndrueshme dhe prova materiale, duke i’a bërë të besueshme gjykatës dëmin që rrezikon t’i shkaktohet atij nga ekzekutimi i aktit administrativ të goditur.”

Më tej, gjykata ka arsyetuar se ky vendim nuk bie në ndesh me interesin e përgjithshëm:

“Gjykata poashtu vlerëson se shtyrja e ekzekutimit të vendimit në rastin konkret nuk është në kundërshtim me interesin publik, pasi që pa sqarimin e çështjeve kontestuese në këtë procedurë dhe pa sqarimin e bazës juridike të vendimit të kontestuar, ekzekutimi i këtij të fundit do të mund të shkaktonte dëm të pariparueshëm për paditësin.”

Në aktvendimin e saj, Gjykata vërejti se OSHP-ja, edhe pse ishte njoftuar rregullisht dhe i ishte lënë afati i duhur, nuk kishte dorëzuar asnjë deklarim lidhur me këtë kërkesë deri në momentin e marrjes së vendimit.

Përmes këtij aktvendimi, dënimi i OSHP-së pezullohet deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar lidhur me ligjshmërinë e sanksionit. Ky është një zhvillim i rëndësishëm në praktikën e Gjykatës Komerciale, e cila ka vendosur të balancojë pretendimet për parregullsi në prokurim me të drejtën e kompanive për të operuar derisa të vërtetohet fajësia në merita.

Pala e pakënaqur ka të drejtë ankesë brenda shtatë ditësh në Dhomën e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale. /Gazeta Insajderi

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA