Në ditën e dytë të fushatës gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kryetari aktual i Prizrenit dhe kandidati i PDK-së për një mandat të dytë, Shaqir Totaj, është zotuar se në mandatin e ardhshëm do të vazhdojë mbështetjen për të rinjtë dhe do të përqendrohet në nxitjen e inovacionit në qytet. Përkrahja e start-up bizneseve, zhvillimi i qendrave të inovacionit dhe promovimi i përdorimit të inteligjencës artificiale do të jenë ndër prioritetet kryesore të tij për Prizrenin.
Gjithashtu, Totaj zhvilloi një takim me kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane të Kosovës, Veton Berisha, me të cilin tha se i presin “plane dhe angazhime të përbashkëta në të ardhmen”.
Në Kaçanik, kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së për një mandat tjetër, Sabedin Vishi, vuri në fokus përmirësimin e kushteve në arsim.
Vishi mori pjesë në përurimin e sallës moderne të edukatës fizike në SHFMU “Idriz Seferi” në fshatin Bob, ku tha se investimet në infrastrukturën shkollore janë faktor i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe krijimin e kushteve më të favorshme për procesin mësimor.
Në Mitrovicë, kandidati i PDK-së në koalicion me LDK-në, Arian Tahiri, zhvilloi një vizitë te profesori dhe veterani i arsimit shqip, Sabit Bilalli, duke e cilësuar atë si “figurë të respektuar të qytetit dhe shembull për brezat e rinj”.
Ndërkaq, në Vushtrri, kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të ri, Ferit Idrizi,u fokusua te vlerësimi i kontributit në arsim dhe mbështetja e bizneseve. Ai i ka ndarë mirënjohje Nasuf Bejtës për kontributin e tij shumëvjeçar në edukimin e brezave të rinj, ndërsa gjatë vizitave tek bizneset lokale tha se përkrahja e bizneseve të tilla mbetet pjesë e angazhimit tonë për të ndërtuar një ekonomi më të fortë dhe më të qëndrueshme në Vushtrri.







