Për zgjedhjet e 9 nëntorit, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, zhvilloi një vizitë në Gjakovë për të mbështetur kandidatin e partisë në balotazh, Ardian Gjini. Haradinaj theksoi se Gjakova ka nevojë të zgjedhë më të mirin teksa riafirmoi mbështetjen për Gjinin, duke e vlerësuar punën e tij të deritanishme dhe projektet zhvillimore që kanë përmirësuar imazhin dhe ekonominë e qytetit.
Gjini, kryetar aktual i komunës dhe kandidat për një mandat të ri, gjatë ditës së martë ndau pamje nga punimet infrastrukturore, të cilat po vazhdojnë me intensitet të shtuar, konkretisht në Pikën e Zezë dhe Bardhaniq.
Në Suharekë, Bali Muharremaj që kërkon vote për mandat të ri prezantoi projektet që planifikon të realizojë në katër vitet e ardhshme.
Muharremaj po ashtu ndau pamje nga mbështetje e qytetarëve te Studençanit.
Kurse kandidati i AAK-së për Rahovec, Smajl Latifi, konfirmoi përkrahjen e palëkundur në Dejnë e Dobidol për konceptin e tij. Ai u shpreh I bindur se më 9 nëntor do të nisë puna për projektet e reja që shtrihen anekënd Rahovecit dhe falenderoi qytetarët për mbështetjen e tyre.
Në Junik, kandidati i AAK-së Agron Kuçi në ditën e dytë të fushatës denoncoi manipulime të mundshme me listën e votuesve teksa premtoi rikthimin e dinjitetit dhe punën e ndershme në krye të komunës.
Në Kline, Zenun Elezaj, kryetar aktual dhe kandidat për një mandat të ri, njoftoi një tubim qendror me qytetarët ku do të prezantohet programi i tij politik dhe vizioni për katër vitet e ardhshme, në prani të Ramush Haradinajt.







