Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka folur për rritjen enorme të çmimeve të derivateve, teksa është paralajmëruar edhe fryrja e çmimit të rrymës.
Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Mustafa kërkoi masa të menjëhershme nga ana e Qeverisë, në mënyrë që të vihet në kontroll situata e krijuar.
“Kohëve të fundit të gjithë jemi dëshmitarë të rritjes enorme të çmimeve të derivateve, edhe një paralajmërim nga ana e ZRrE-së, që me gjasë do të kemi edhe një rritje të çmimit të energjisë që nga 1 maji. Këto rritje të çmimeve kanë një efekt zinxhiror, pra kur rritet çmimi i derivateve dhe rrymës, do të kemi rritje të çmimit të ushqimit, transportit, barnave, imputove bujqësore, veshmbathje, pra kemi efet zinxhiror të rritjes së çmimit të çdo produkti”, tha ai.
“Çdo familje në Kosovë duhet të numërojë centët, sepse fatkeqësisht nuk arrijnë të blejnë çdo gjq që iu nevojiten në çdo kohë. Pensionistët duhet t’i numërojnë centët, sepse nuk arrijnë të blejnë barnat. Vlen kjo edhe për studentët, për çdo qytetarë”, tha Mustafa.
Ai shtoi se Kosova nuk ka mundësi të ndërhyrje në rritjen e çmimeve në botë, megjithatë, sipas tij, qeveria e ka për detyrë të mbështesë qytetarët e saj.
“Kërkojmë urgjentisht nga Qeveria të merr masa për të mbrojtur dhe përkrahur qytetarët, qoftë largim i përkohshëm i akcizës në derivate, largim ose ulje komplet e TVSH-së për një periudhe, përkrahje financiare për qytetarët, sidomos për familjet e cenuara”, tha ai.






