Përgatiti: Sara Shehu
Si pasojë e ndryshimit të temperaturave, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, është rritur numri i pacientëve.
Sipas Kryeshefit të qendrës, Valdet Hashani, pacientët më së shpeshti kanë nevojë për infuzione.
“Për shkak të ndryshimit të këtyre temperaturave, ngritjes dhe uljes së temperaturave të përnjëhershme, kemi shumëzimin ose ndryshimin e infeksioneve, qoftë bakteriale ose virale, me çka u rrit edhe numri i pacientëve, të cilët kërkonin ndihmë shëndetësore. Me këtë u rrit edhe dhënia e infuzioneve, në qendrën tonë, ku QKMF-ja në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Shëndetësisë, kanë shpenzuar një sasi të mjaftueshme të mjeteve pikërisht për shkak të infuzioneve ose terapisë parainterale për rehidrimin e pacientëve… Në këto ditë ku është freskët vërehet që është rritë numri i gastroenteriteve, meqë edhe dhënia e infuzioneve në qendrat tona është rritur për 10 ose 20 për qind”, tha Hashani.
Hashani tha se në fluksin e lartë të pacientëve, ka ndikuar edhe ardhja e mërgimtarëve.
“Fillimisht ju e dini që vera erdhi me pak vonesë dhe temperaturat ishin shumë të ulëta, për një moment të caktuar, brenda dy-tri javëve të fundit, patëm një fluks, një temperaturë të madhe, pra ngritje të temperaturave, të cilat i arrijnë 40-gradëshin, të cilat ishin shumë të vështira për pacientët, sidomos tek ata të cilët ishin me sëmundje kronike, dhe fëmijët. Por, jo vetëm ata, ishte faktikisht rraskapitëse edhe për gjithë popullatën… Rritja e këtij fluksi u ngrit edhe me ardhjen e bashkatdhetarëve tanë, edhe me rritjen e gastroenteriteve”, tha Hashani.
Sfidë për pacientët të cilët kërkojnë mjekim është se një pjesë e stafit janë nëpër pushime, ndërkohë që kujdesi parësor shëndetësor ofron shërbime për mbi 700 mijë qytetarë.
Ndryshe, kryeshefi i QKMF-së paralajmëroi se prej javës së ardhshme, do të ketë rritje të kërkesave për shërbime shëndetësore, meqenëse, sipas tij, do të ketë rritje të temperaturave. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: