Projektligjit për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, i cili do të procedohet për votim në mbledhjen e radhës të Qeverisë, është finalizur. Kjo gjë është bërë e ditur në një takim të kryeministrit Albin Kurti, me përfaqësues të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, temë qendrore e diskutimit ishin përgatitjet dhe hapat e mëtutjeshëm për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
“Sipas këtij projektligji, Komiteti Organizativ do të udhëheqë me projektin më të madh sportiv në historinë e Republikës së Kosovës. Ai do të përbëhet nga ministra të Qeverisë, përfaqësues të Kuvendit të Republikës, Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, nën udhëheqjen e Kryeministrit në cilësinë e kryesuesit të Bordit Ekzekutiv të Komitetit Organizativ për Lojërat Mesdhetare, Prishtina 2030”.
“Kryeministri Kurti dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani falënderuan Sekretarin e Përgjithshëm të ICMG-së, Iakovos Filippousis për mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Komunën e Prishtinës për kontributin e dhënë dhe përkushtimin e treguar”, thuhet në komunikatë.
Theksohet se lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, do jenë ngjarja më e madhe sportive në histori të vendit, që përmes investimeve do të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës sportive, kurse përmes mikpritjes në përfaqësimin dhe promovimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Lojërat Mesdhetare 2030 do të shtrihen në disa komuna të vendit tonë dhe në qytetin e Durrësit të Republikës së Shqipërisë.