spot_imgspot_img
spot_img

Filmi “HANA” me premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Goa, Indi

Filmi artistik “HANA”, me regji të Ujkan Hysajt dhe skenar të Fadil Hysajt, do të ketë premierën e tij botërore në edicionin e 56-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Goa (IFFI), një ndër festivalet më prestigjioze në botë dhe i certifikuar si festival i kategorisë A nga FIAPF.

“HANA” është përzgjedhur në kategorinë zyrtare të garës për çmimin “ICFT–UNESCO Gandhi Medal Award”, një vlerësim që u jepet filmave që pasqyrojnë idealet e UNESCO-s për paqen, tolerancën dhe dialogun ndërkulturor. Filmi do të shfaqet më 23 nëntor 2025, ku në premierë do të jetë e pranishme edhe aktorja e njohur Ilire Vinca, një nga rolet kryesore të filmit.

Në qendër të tregimit është Sara, një aktore që i bashkohet një programi të Art Terapisë në një Qendër Rehabilitimi për Gratë në Kosovë, me synimin për t’i ndihmuar të mbijetuarat të kthejnë dhimbjen në art. Por ndërsa ajo përfshihet në historitë e grave, përballet edhe me plagët e saj të pashëruara dhe me identitetin e dytë që e ndjek – Hana.

Në rolet kryesore të filmit interpretojnë: Sheqerie Buçaj, Ilire Vinca, Refet Abazi, Ermin Bravo, si dhe aktorët Teuta Ajdini, Fatlume Bunajku, Agron Shala, Lumije Muçaj Sopi, Xhevdet Doda, Shpend Xani, Xhejlane Godanci, Bislim Muçaj, Nazmije Sylejmani, Daniela Markaj dhe Euron Kadriu.

Ekipi artistik përfshin: Ujkan Hysaj (regji dhe montazh), Fadil Hysaj (skenar), Kushtrim Koliqi (producent), Almir Djikolli (drejtor fotografie), Memli Kelmendi (muzikë origjinale), Mentor Berisha (dizajn skene), Alma Krasniqi (kostume), Labinot Sponca (dizajn zëri) dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë.

Filmi është prodhuar nga “AJO Pictures”, me mbështetje nga Qendra Kinematografike e Kosovës, si dhe me kontributin e Komunës së Prishtinës, Shoqatës “Progresiva”, Okarina Choir, EtnoVillage Kukaj, dhe shumë institucioneve të tjera që ndihmuan në realizimin e projektit.

“HANA” sjell një histori të thellë njerëzore për plagët e heshtura, fuqinë e artit dhe procesin e shërimit, duke vendosur sërish kinemanë kosovare në vëmendjen e botës.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA