Përgatiti: Kastriot Tahiri
Thirrjen e shtetit serb për mosvendosje të flamurit kombëtar më 28 Nëntor nuk e përfillën Komuna e Bujanocit, as ajo e Preshevës. Këtë ndalesë e quajti vendim të trishtë kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Është fakt i trishtë që vetëm shqiptarëve në Serbi u ndalohet përdorimi i flamurit kombëtar, një simbol i shenjtë që përfaqëson identitetin dhe dinjitetin tonë kombëtar”, tha Sinani.
Sipas Sinanit, diskriminimi dhe përpjekjet për ta heshtur popullin shqiptar në Luginë të Preshevës, nuk mund t’i ndalin përpjekjet për ta ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditën.
“Edhe pse shqiptarët në Luginën e Preshevës vazhdojnë të përballen me padrejtësi të thella dhe diskriminim të hapur, ne sot e më shumë se kurrë duhet të qëndrojmë të bashkuar”, tha Sinani.
Përdorimin e simboleve etnike për pakicat, shteti serb e ndalon me ligj, por me gjithë ndalimin deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin serb, Shaip Kamberi, kishte bërë thirrje që shqiptarët t’i zbukurojnë shtëpitë me flamuj.