Burime të sigurta për ‘’No Filt’’ me Rrona Hoxhën, kanë bërë të ditur se Fero pritet të rikthehet në skenën muzikore pas muajit të shenjtë të Ramazanit. Sipas informacioneve, ai është duke bashkëpunuar me një nga menaxherët më të njohur të estradës shqiptare, Rinor Hykollin.
Kujtojmë se në vitin 2023, Fero kishte bërë një deklaratë publike në të cilën njoftonte largimin e tij nga muzika. Ai kishte shprehur se arsyeja kryesore për këtë vendim ishte përkushtimi i tij ndaj Islamit, duke theksuar se muzika është e ndaluar në fenë islame. Madje, reperi kishte shprehur keqardhje për çdo këngë që kishte publikuar më parë, duke u bërë thirrje dëgjuesve të tij që të ndalonin dëgjimin e tyre.
Megjithatë, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, duket se Fero ka vendosur të rikthehet me projekte të reja muzikore. Krahas angazhimit në muzikë, ai kishte njoftuar më herët edhe hapjen e një podcast-i personal, ku do të adresonte tema të ndryshme dhe do të mirëpriste figura publike. Ky projekt pritet të nisë në muajin maj, duke sjellë surpriza për publikun.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të sjellë reperi në këtë fazë të re të karrierës së tij dhe nëse rikthimi i tij në muzikë do të konfirmohet zyrtarisht në javët në vijim.
Muajin e kaluar, Fero u martua me një vajzë me emrin Nita, e cila nuk është pjesë e shoëbizit shqiptar. Pasi e etiketuan si modele, ajo reagoi duke thënë se ka një karrierë akademike dhe nuk është modele.
Kujtojmë se Fero kishte kurorëzuar dashurinë me modelen e njohur Arbenita Ismajli katër vite më parë, ndërsa lidhja e tyre u bë publike në fund të vitit 2018. Marrëdhënia e tyre u komentua gjatë në media, e sidomos viteve të fundit pasi u divorcuan dhe për shkak të thashethemeve të shumta, deklaratave dhe akuzave reciproke që ata hodhën ndaj njëri-tjetrit./ NO FILT/