Qyteti i Ferizajt po bëhet gati të mirëpresë Koloninë Artistike 2025 – Edicioni i Dytë, një ngjarje e veçantë që e kthen artin në një urë bashkimi dhe fuqizimi për artistët me aftësi të kufizuara nga i gjithë Ballkani.
Këtë iniciativë e organizon Shoqata “Hendifer”, e cila edhe këtë vit synon të sjellë më shumë krijimtari, bashkëpunim dhe përfshirje, duke dëshmuar se arti nuk njeh kufij dhe kufizime.
Ngjarja do të mbahet në Nerodime – Ferizaj, nga 25 deri më 27 tetor 2025, dhe pritet të mbledhë artistë të ndryshëm me histori frymëzuese, të cilët përmes punës së tyre do të krijojnë vepra të reja, do të ndajnë përvoja personale dhe do të ndërtojnë ura miqësie përtej barrierave.
Kulmi i aktivitetit do të jetë ekspozita përmbyllëse, që do të mbahet më 27 tetor 2025, në ora 18:00, në Galerinë e Arteve në Ferizaj, ku do të prezantohen veprat e realizuara gjatë ditëve të kolonisë.
Përmes kësaj nisme, Shoqata “Hendifer” synon të ndryshojë mënyrën se si shoqëria i sheh aftësitë dhe kufizimet, duke e vendosur fokusin tek talenti, kreativiteti dhe diversiteti njerëzor.







