-2.8 C
Pristina
Thursday, January 8, 2026

Fan Noli, nxënës i veçantë e i përjetshëm me pesë diploma

Fan Noli është nga ato figura jo të zakonshme, që ngaherë të befason jo vetëm me veprën e gjithanshme, por edhe me jetën e tij. Mbi të gjitha, ai ishte njeri me germa të mëdha dhe si i tillë, shpërfaqet në tërë dimensionet njerëzore.

Kështu, në historinë e kulturës sonë kombëtare, Fan Noli u takon atyre rasteve tepër të rralla, veçanërisht të kohës së tij, që në të katër stinët e jetës mbeti deri në fund nxënës. Nxënës në fëmini e në djalëri, në rini, në moshën e pjekurisë dhe në vitet e pleqërisë.

Një nxënës krejt i veçantë, me një profil të dallueshëm nga të tjerët, me një mençuri natyrale dhe me një etje të pashuar për dituri, gjithë vullnet dhe ambicie, ngaherë i palodhur dhe i pakënaqur, në kërkim të më së mirës, i prirur drejt së vërtetës dhe së drejtës. Këto tipare të staturës, Theofan Mavromati djalosh, do të nisë t’i manifestojë fillimisht në gjimnazin grek të Adrianopojës, ku emri i tij ka mbetur në analet e shkollës dhe kujtimet e bashkëkohësve, si një nga nxënësit e shkëlqyer.

Më pas, për mbi dhjetë vjet, ai do të kryente shkollën e jetës pa u shkëputur nga prirjet e brendshme, nga librat, arti, gjuhët, dijet, deri sa një ditë, kur ishte emigrant në SHBA, do të trokiste në dyert e Universitetit. Kështu, në moshën 30-vjeçare, pasi ishte dorëzuar prift, mbaron studimet në Harvard dhe merr diplomën “Bachelor of Arts”. Jeta e tij vijon më tej në shërbim të kauzës shqiptare dhe kulturës kombëtare, i ngarkuar me detyra historike sa në mërgim dhe në Shqipëri, duke bërë emër të nderuar si gazetar, historian, poet e veçanërisht si shqipërues. Bota shqiptare, ndërkaq, do ta njihte si kalorës të lirisë e të demokracisë, por prapë ai e ndjente veten nxënës. Në moshën 55-vjeçare mbaroi studimet në Konservatorin e Nju Englandit të Bostonit, duke u diplomuar për kompozicion me një varg veprash simfonike që i mungonin muzikës shqiptare. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, një vit më pas, 1938, merr dhe një diplomë tjetër për Muzikologji në Konservatorin e Bostonit me veprën monografike “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ndonëse i qe kthyer politikës aktive, sepse ishte vënë në rrezik fati i Shqipërisë, Fan Noli kish mbetur përsëri nxënës, duke mos u ndarë nga studimet. Kësaj here ai u kish hyrë studimeve të shkallës më të lartë, për të marrë një gradë shkencore. Ekziston një dokumentacion i tërë, që i paraprin mbrojtjes së doktoraturës. Ai jep një varg provimesh pasuniversitare nga fusha të ndryshme të historisë, të arteve, të psikologjisë e deri të fizikës, provime me shkrim që ruhen akoma në arkivin e tij. Krahas kësaj pune të madhe nxënëse angazhuar për vite të tëra, është përgatitja e disertacionit, vepra shkencore që do të paraqiste. E pra, ky burrë gjashtëdhjetëvjeçar do të përjetonte si emocionet e nxënësit-student, ashtu edhe logjikën racionale të studiuesit. Më në fund, pas afro shtatë vjet përpjekjesh të mundimshme intelektuale dhe fizike, në vitin 1945, në moshën 63-vjeçare, Fan Noli do të mbronte me sukses në Universitetin e Bostonit studimin e tij monografik me temën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. Komisioni shkencor, përbërë nga personalitete të fushës, do ta vlerësonte duke i dhënë gradën shkencore të doktorit në Filozofi. Prej kësaj kohe, ai do të prezantohej në botën shkencore-kulturore Ph.D. Fan S. Noli.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA