Tavani në dhomën e gjumit iu shemb, e fëmijën nëntë vjeç të familjes Maqastena nga Prishtina, e zuri në gjumë.
“Nuk kam mundur të vij shpejt. E kam çu djalin e madh. Ai tha: nënë po bie tavani. Thashë: vraponi, hiqeni djalin se është në gjumë. Kur kemi mbërri, e gjetëm përfundi këtyre”, thotë Fedaije Maqastena.
Nëna që rastin e bëri publik në emisionin “N’frekuencë me Robin” në ATV, tregon se djali i shpëtoi me disa lëndime, por tavani i shembur, është vetëm një barrë më shumë për familjen pesanëtarëshe.
“Shpia tejet e rrënume. Kjo nuk është për jetesë. As s’kam rrymë, vetëm disa kabllo që i kemi zgjatë… Plloça është gjysma e thyme. Kur e ndezi shporetin, muaji janar, me qenë duke vdekur nga ftohti, duhet t’i hapim dritaret, si me djegë goma brenda. Po m’vjen turp m’i dërgu fëmijët në shkollë, sepse era, po qeshin me ta”, shprehet ajo.
Madje, ajo nuk ka as vend se ku t’i pastrojë fëmijët e saj.
Me vetëm 100 euro të ardhura mujore, shumicën e kohës zonja e shtëpisë ushqimin e siguron nga bamirësit. Por, ka raste kur vizitorë të paftuar ia hanë ushqimin.
“Kam dalë në dy-tre dyqane për ta gjetur më lirë atë gjellë. E kam lanë në kuzhinë të ftohet. Kam shku te shkolla m’i marrë fëmijët, e kur jam kthyer miu e kishte hangër më shumë se gjysmën. Kam shkuar prapë e kam marrë hua, që të kemi ushqim”, rrëfen Fedaije Maqastena.
Problemet shëndetësore me këmbë e bëjnë atë të paaftë për punë, ndërsa bashkëshorti i saj, me punë krahu e duke mbledhur kanaçe, mundohet të sigurojë të holla për familjen.
Krejt çfarë Fedaija kërkon, është një banesë ku ajo mund t’i rrisë fëmijët e saj të sigurt e të shëndetshëm. /atvlive.tv