“Elektrosever” nuk ndëshkohet për përdorim të kodit ilegal postar

Përgatiti: Fatlum Jashari

Edhe pse ka muaj që Elektrosever është duke e shkelur marrëveshjen, licencën, ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, ende nuk ka vendimmarrje për ndëshkim eventual.

Duke i quajtur “gabime teknike”, Zyra e Rregullatorit për Energji konfirmoi se është në dijeni të shkeljeve nga Elektrosver – e cila në faturat e konsumit mujor përdor emërtimin dhe kodin postar ilegal serb për Mitrovicën.

“Zyra e Rregullatorit për Energji, pasi ka marrë informata se furnizuesi Elektrosever, në faturat e energjisë elektrike të shpërndara te konsumatorët, është duke përdorur disa nga emërtimet të cilat nuk janë në përputhje me Legjislacionin e aplikueshëm në Republikën e Kosovës, menjëherë ka kërkuar informacion të detajuar nga Elektrosever. Lidhur me këtë, Elektrosever ka sqaruar se në disa adresa të konsumatorëve ka pasur gabime teknike, këto gabime teknike kanë ardhur si rrjedhojë e bartjes së shënimeve nga baza e vjetër e konsumatorëve te Elektrokosmet në bazën e re të shënimeve të Elektrosever”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

Rregullatori njoftoi se ka marrë zotim nga Elektrosever, për përmirësim në faturat e reja.

“Pasi janë vërejtur këto gabime, korrigjimet e duhura janë bërë në bazën e shënimeve”, thuhet më tej në përgjigjen e ZRRE-së.

Megjithatë, kjo do të vërtetohet vetëm në fund të muajit.

Shkeljet nga kompania bijë e ndërmarrjes publike energjetike të Serbisë, e cila u licencua në Kosovë në Qershor të vitit 2022, i përmendi zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, në takimin e javës së kaluar Bruksel.

Pasi marrëveshjen për energjinë e vlerësoi si një nga më sfidueset për shkak të destruktivitetit të Serbisë, eksperti i këtij sektori Naim Bujupi tha se konteksti politik është i pashmangshëm në këtë rast.

“Në aspektin politik duhet të mobilizohet Qeveria dhe t’i bëhet me dije faktorit ndërkombëtar dhe gjithashtu t’i kërkohet Serbisë që ta zbatojë marrëveshjen”, tha Bujupi.

Ai theksoi nevojën për veprim nga Rregullatori – si autoritet licencues dhe mbikëqyrës.

“T’i lëshojë një vërejtje dhe t’i kërkojë që në një afat të caktuar t’i dërgojë të gjitha faturat në harmoni me kushtet ligjore dhe të zbatojë atë faturë që është aprovuar nga ZRRE-ja. Në të kundërtën, nëse zgjat kjo çështje dhe nuk zbatohet nga Elektrosever, atëherë si masë përfundimtare mund të shkohet në tërheqje të licencës”, tha Bujupi.

Para nisjes së faturimit të konsumit të energjisë, nga 1 Janari 2024, Elektrosever kishte shkelur të gjitha afatet e licencës, e cila i referohet udhërrëfyesit dhe marrëveshjes së Brukselit për energjinë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA