Dy nxënës të klasës së nëntë, të shkollës fillore “Faik Konica” në kryeqytet, mbetën të lënduar rëndë, pas kontaktit me rrymën. Trafoja ndodhej ngjitur me fushën e futbollit, në oborrin e shkollës, ku po luanin nxënësit.
Ngjarja ndodhi në mesditë, derisa fëmijët u dërguan me urgjencë në QKUK.
“Gjendja e tyre momentale është stabile dhe nga parametrat momentale janë me vetëdije. Mirëpo, lëndimet janë plagë djegëse serioze, të një shkalle më të rëndë”, tha mjeku kujdestar, Ejup Govori.
Si pasojë e lëndimeve të marra nga tensioni i lartë i rrymës, njërit nga nxënësit iu nënshtrua edhe operacionit.
“Njëri i është nënshtruar operacionit kirurgjik plastik dhe pas operacionit do të transferohet në mjekim intensiv qendror. Kurse tjetri ka djegie më të ulët, d.m.th një sipërfaqe më të vogël. Ai pranohet në kirurgji plastike për trajtim të mëtutjeshëm”, tha Govori.
Duke iu referuar fjalëve të nipit, gjyshi i njërit nga të lënduarit tregon se si ndodhi rasti.
“Ermali tregon se ka tentuar ta nxjerrë shokun nga trafoja dhe është lënduar, ka dorën e lënduar dhe është jashtë rrezikut. “Kam tentuar ta nxjerr shokun, e kam dëgjuar krismën, ia kam dëgjuar britmën”, tha Hilmi Duraku, gjyshi i njërit nga nxënësit e lënduar.
ATV-ja tentoi të flasë edhe me drejtoreshën e shkollës “Faik Konica”, e cila ndodhej në emergjencë me dy nxënësit. Mirëpo, ajo nuk pranoi të flasë e arsyen se pse, ia tregoi gjyshit të njërit prej të lënduarve.
“Drejtoresha tha që është e ngarkuar dhe nuk ka kohë”, dëgjohet duke thënë gjyshi i njërit nga të lënduarit.
Sipas Policisë, rasti është duke u trajtuar.
“Rreth orës 10:30 kemi pranuar informatën se në rrugën “George Bush” në Prishtinë, dy persona (të mitur) janë goditur nga rryma elektrike. Personat janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë Policia në koordinim me institucionet përkatëse po trajton rastin”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë rajonale të Prishtinës.
Ndërsa, KEDS-i pa treguar shkaqet që çuan deri te lëndimi i dy të miturve, deklaroi se ekipet e tyre tashmë e kanë mbyllur derën e trafos, në mënyrë që të ofrohet siguri për nxënësit tjerë. /atvlive.tv