2.3 C
Pristina
Tuesday, December 23, 2025

Dy gola të Neres, Napoli mposht Bolognan dhe fiton Superkupën e Italisë

Sulmuesi brazilian David Neres ishte heroi i finales, duke realizuar dy gola dhe duke i dhuruar SSC Napolit fitoren 2-0 ndaj Bolognas, sukses që i siguroi klubit napolitan Superkupën e Italisë për herë të tretë në histori. Finalja u zhvillua në “King Saud University Stadium” në Arabinë Saudite.

Pas triumfit ndaj kampionëve në fuqi të Italisë, AC Milan, në gjysmëfinale vetëm katër ditë më parë, Napoli e nisi finalen me besim të madh, pavarësisht dy humbjeve radhazi të regjistruara më herët ndaj Benficës dhe Udineses.

Gjashtë minuta para mbylljes së pjesës së parë, ai avancoi rreth 25 metra dhe lëshoi një goditje të fuqishme me të majtën, e cila kaloi mbi portierin Federico Ravaglia dhe u ndal në cepin e sipërm të portës, duke kaluar Napolin në avantazh.

Braziliani vazhdoi statistikën pozitive, duke hapur rezultatin në secilën nga katër ndeshjet e fundit ku ka shënuar, ndërsa për Bolognan kjo ishte ndeshja e shtatë radhazi ku pëson gol e para.

Shpresat e Bolognas për rikthim u shuan shpejt në pjesën e dytë. Vetëm 12 minuta pas rifillimit, një gabim i rëndë në prapavijë rezultoi vendimtar. Andaj, Neres, përfitoi nga situata dhe me një parabël elegante mbi portierin në dalje dyfishoi epërsinë e Napolit. Ky ishte vetëm rasti i pestë në 14 ndeshjet e fundit që Napoli shënonte më shumë se një gol brenda 90 minutave.

Bologna tentoi të reagonte, por Napoli e menaxhoi me qetësi avantazhin, duke përballuar presionin dhe ruajtur kontrollin e lojës deri në vërshëllimën finale. Pas dy finaleve të mëparshme të humbura pa shënuar, kësaj here napolitanët treguan pjekuri dhe përvojë për ta mbyllur ndeshjen në favorin e tyre.

Me këtë sukses, Antonio Conte fiton Superkupën e Italisë për herë të gjashtë në karrierë – tri herë si lojtar dhe tri herë si trajner – duke konsoliduar më tej reputacionin e tij si një nga trajnerët më të mëdhenj italianë të të gjitha kohërave.

Por, pavarësisht sukseseve të fundit, trajneri italian refuzoi ta quajë Napolin forcën dominuese të futbollit italian.

“Jo, nuk do të ndihesha rehat ta thosha këtë. Do të ishte gënjeshtër,” theksoi ai.

“Titullin e fituam sezonin e kaluar me një skuadër të ngushtë. Këtë verë kemi afruar shumë lojtarë të rinj dhe për këtë arsye nuk jemi aspak gati të dominojmë.”

“Nëse shikoni renditjen e Serie A, objektivi ynë duhet të jetë qëndrimi sa më afër zonës së Ligës së Kampionëve. Ky do të jetë një sezon shumë i vështirë dhe gara për katër vendet e para do të jetë jashtëzakonisht e fortë.”

“Me përulësi duhet të kuptojmë se vetëm puna na çon lart. Nuk mund të them se jemi gati të komandojmë, sepse nuk jemi as afër kësaj.”

Kujtojmë se në Seria A, pas 15 xhirosh, Napoli renditet në vendin e tretë me 31 pikë. /ATVLIVE.TV

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

Endrick kalon te Lyon në formë huazimi

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA