Drita dhe Prishtina përballen sot në duelin e mbetur të Superligës, synojnë pikët e plota

Drita dhe Prishtina do të zbresin sot në fushën e gjelbër për të zhvilluar përballjen e mbetur nga java e dytë e Albi Mall Superligës së Kosovës.
Skuadra gjilanase do të ketë përparësinë e terrenit vendas, teksa do të presë kryeqytetasit në stadiumin me bari artificial në Gjilan. Takimi është programuar të nisë në orën 13:00.
Reklamë
Kjo sfidë ishte shtyrë për shkak të angazhimeve të Dritës në garat evropiane gjatë verës, ndërsa tani dy skuadrat do të kenë mundësinë të zhvillojnë ndeshjen e mbetur nga kampionati.
Drita hyn në këtë përballje me moral të lartë, pas katër fitoreve radhazi në kampionat. Të besuarit e saj synojnë ta vazhdojnë serinë pozitive edhe ndaj Prishtinës, pasi një tjetër triumf do t’i barazonte me pikë me kryeqytetasit dhe do t’i afronte vetëm një pikë larg lideres Malisheva.
Në kampin tjetër, Prishtina vjen me bilanc më të luhatshëm në pesë ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar dy fitore, dy barazime dhe një humbje.
Megjithatë, kryeqytetasit udhëtojnë drejt Gjilanit me objektiv të qartë: të marrin një rezultat pozitiv, të ruajnë epërsinë ndaj Dritës në tabelë dhe të synojnë afrimin me kreun e klasifikimit.
Për të dyja skuadrat, kjo përballje ka rëndësi të veçantë në garën për pozitat e larta, ndaj pritet një duel interesant dhe me shumë rivalitet.
Reklamë










