Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) njofton se situata me vërshime në territorin e Kosovës paraqitet dinamike, me raste të lokalizuara në disa komuna si pasojë e reshjeve të shumta.
Një nga zonat më të prekura është Anadrinisa në Komunën e Prizrenit, ku uji i Drinit të Bardhë ka dalë mbi rrjedhën normale dhe ka përmbytur dy anët e rrjedhës.
Sipas policisë, rruga Gjonaj-Krajk është e bllokuar pasi uji ka arritur mbi 1.5 metra në rrugë, duke pamundësuar qarkullimin.
“Në pjesën tjetër të vendit, gjendja mbetet stabile dhe nën monitorim të vazhdueshëm,” njofton AME.
Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në koordinim me strukturat komunale dhe Qendrën Operative të Agjencisë, janë angazhuar për pompim të ujit dhe largim të përmbytjeve, sigurimin e objekteve të rrezikuara dhe monitorimin e pikave kritike.
Numri unik emergjent 112 është funksional dhe në shërbim të qytetarëve. AME thekson se nuk raportohet për humbje jete, ndërsa dëmet materiale janë të kufizuara dhe po vlerësohen nga autoritetet lokale.
“Ekziston mundësi për përkeqësim të situatës në rast të reshjeve të reja, por rreziku aktual vlerësohet i menaxhueshëm,” thonë nga AME.
AME ka apeluar te qytetarët që të shmangin zonat e rrezikuara, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe çdo rast emergjent ta raportojnë në 112.
AME konfirmon se situata mbetet nën monitorim aktiv dhe është e përkushtuar të informojë publikun 24/7 për çdo zhvillim të ri.






