Samir Shahini, drejtor i Arsimit i Prishtinës ka paralajmëruar reforma të reja në arsim.
Këtë është zotuar se do ta nisë pas pushimit pranveror.
“Në çdo shkollë që hyj, e dëgjoj të njëjtën gjë nga mësimdhënësit: “Po harxhojmë më shumë kohë me letra sesa me nxënësit”.
Kjo nuk është në rregull.
Mësimdhënësit tanë duhet të kenë kohë për të përgatitur orë më të mira, për të punuar me fëmijët që kanë nevojë për më shumë mbështetje, për të bërë atë që kanë zgjedhur si profesion — të mësojnë nxënësit.
Prandaj, menjëherë pas pushimit pranveror, në Prishtinë do të nisim disa hapa konkretë:
• Një ekip nga Drejtoria e Arsimit do të dalë në terren — në shkolla, në klasa, për të parë nga afër çfarë po i ngarkon mësimdhënësit
• Do të heqim raportet dhe dokumentet që nuk i shërbejnë askujt në praktikë
• Do të thjeshtojmë planet mësimore — më pak formë, më shumë përmbajtje
• Do të provojmë këtë qasje në disa shkolla dhe pastaj do ta zgjerojmë
• Do të kalojmë nga “raportimi në letër” te më shumë prani në klasë dhe mbështetje reale
Nuk po heqim përgjegjësi — po heqim pengesa që e bëjnë të vështirë zbatimin e kurrikulës në klasë.
Në fund të ditës, është shumë e thjeshtë – nëse duam arsim më të mirë, duhet t’u japim mësimdhënësve më shumë kohë për nxënësit”, shkruan Shahini në njoftim.






