Ermal Mamaqi ka ndarë një qasje të veçantë për edukimin financiar të fëmijëve, duke treguar se i ka dhënë djalit të tij 13-vjeçar një kredi me interes 10%.
Në një intervistë në Grida Duma Podcast, Mamaqi rrëfeu një situatë konkrete kur djali i tij i kërkoi një pajisje me vlerë rreth 500 euro. Në vend që t’ia plotësonte menjëherë dëshirën, ai vendosi ta shfrytëzojë rastin si një mësim praktik mbi përgjegjësinë financiare.
“Nuk i dilnin lekët dhe një ditë më thotë: e gjeta zgjidhjen, duhet të më japësh kredi. Bëmë llogaritë dhe i thashë: Nuk do më kthesh 500, por 550, me 10% interes, si në bankë. Filloi të thoshte duhet të punoj më shumë sepse kam kredi. Ishte hera e parë që kuptoi përgjegjësinë financiare”, u shpreh ai.
Sipas Mamaqit, në familjen e tij shmangen shprehje të tilla si “nuk kemi para” apo “nuk e përballojmë”. Në vend të tyre, ai promovon një qasje që i nxit fëmijët të mendojnë në mënyrë kreative dhe të gjejnë zgjidhje përmes përpjekjes dhe planifikimit.
Ai tha se edhe kur një dëshirë nuk mund të realizohet menjëherë, është e rëndësishme që fëmijët të mësojnë si ta arrijnë atë vetë, duke kuptuar vlerën e parasë dhe rëndësinë e menaxhimit financiar që në moshë të hershme.






