Në ditën e tretë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kandidatit i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjakovës, Ardian Gola organizoi tubim madhështor me pjesëmarrjen e kryetarit të VV-së, Albin Kurti.
Gola falenderoi qytetarët për mbështetjen e deritanishme dhe kritikoi kryetarin aktual për keqqeverisje. Ai premtoi qeverisje të drejtë, transparente dhe të pakorruptuar, duke i ftuar të gjithë të dalin për të votuar më 9 nëntor për një Gjakovë më të mirë.
Në Prishtinë, kandidati i VV-së Hajrulla Çeku vizitoi tregun e shitjes me shumicë dhe premtoi përmirësim të infrastrukturës dhe kushteve të tregtisë si mënyrë për të rritur standardin e jetesës dhe për të ulur papunësinë.
Në Pejë, Taulant Kelmendi bëri thirrje për ndryshim dhe hapjen e një kapitulli të ri për qytetin, duke u fokusuar tek qeverisja e përgjegjshme.
Valon Prebreza, kandidat për kryetar të Fushë Kosovës zhvilloi takim me gratë e komunës, duke diskutuar për mbështetjen e grave në biznes, nënat e reja, çerdhet publike dhe menaxhimin më të mirë të infrastrukturës urbane. Ai premtoi përfshirje të drejtë dhe mundësi më të shumta për komunitetin.
Kurse Faton Peci, kandidat për kryetar në Mitrovicë, riafirmoi zotimet për ndriçim publik, trotuare, transport publik falas dhe trajtim të barabartë për të gjitha lagjet. Ai gjithashtu falenderoi mërgatën për përgatitjet për votim me postë.
Ali Dula, kandidati i VV-së për Rahovec, ftoi qytetarët të marrin pjesë në tubimin më 7 nëntor, ku do të jetë I pranishëm edhe lideri i partisë, Albin Kurti.
Kryetari aktual dhe kandidat për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni, vizitoi fshatin Cërnicë, ku u prit me krahëhapur nga banorët. Hyseni u zotua se projektet e nisura do të vazhdojnë dhe i ftoi qytetarët të dalin më 9 nëntor për të votuar për një fitore të madhe.
Në Viti, kandidati Arsim Ademi premtoi qeverisje të drejtë dhe transparente, duke marrë shembullin e ndryshimeve të suksesshme në Shtime dhe duke u zotuar për zhvillim të ngjashëm për qytetarët e Vitisë më 9 nëntor.







