Në ditën e tretë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Mamushës kandidati Abdulhadi Krasniq nga Partia Demokratike Turke e Kosovës tha se prioritet I tij mbetet kujdesi shëndetësor.
Ai rikujtoi se gjatë mandatit të tij, komuna ka përjetuar një transformim të rëndësishëm në këtë fushë nga rritja e furnizimit me ilaçe e pajisje mjekësore, deri tek zgjerimi i shërbimeve 24-orëshe për qytetarët.
“Ne e kemi nxjerrë nga hija Qendrën e Shëndetit Familjar dhe e kemi kthyer në model të shërbimit publik. Kemi forcuar stafin shëndetësor me 150 për qind, kemi shtuar dy ambulanca të reja dhe kemi krijuar ekipin mobil që shkon tek pacientët në shtëpitë e tyre” deklaroi Krasniq, duke premtuar vazhdimësi të projekteve nëse fiton një mandat të ri.
Ndërkohë, kandidati i Mamusha Halk Hareketi, Fikret Morina, e përqendroi mesazhin e tij tek bashkimi qytetar dhe vizioni për një Mamushë më të fortë e më të bashkuar. Ai njoftoi për organizimin e aktiviteteve dhe udhëtimeve të bashkëqytetarëve nga diaspora drejt Mamushës në kuadër të raundit të dytë të zgjedhjeve, që mbahen të dielën më 9 nëntor.
“Kjo rrugë nuk është vetëm një udhëtim, por rrugë e unitetit, e besnikërisë dhe dashurisë për atdheun tonë. Le të qëndrojmë së bashku për të mbrojtur të ardhmen e Mamushës,” u shpreh Morina në një komunikatë përkrahësve të tij.







