Në ditën e tretë të fushatës gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të dytë në Klinë, Zenun Elezaj, mbajti një tubim madhështor në shtëpinë e kulturës “Jehona e Dukagjinit”, ku morën pjesë kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, Pal Lekaj, si dhe deputetët Lahi Brahimaj e Time Kadrijaj.
Elezaj u zotua për vazhdimin e projekteve zhvillimore dhe përkushtim ndaj çdo fshati e lagjeje të Klinës dhe se “fitorja e 9 nëntorit do të jetë fitore e punës, ndershmërisë dhe e besimit të qytetarëve”.
Në Gjakovë, kryetari dhe kandidati i AAK-së, Ardian Gjini zhvilloi takim me përfaqësues të një organizate austriake me të cilën komuna bashkëpunon në projekte sociale dhe për mbrojtjen e fëmijëve. Ai tha se vizioni i tij për mandatin e ardhshëm përfshin një Gjakovë me zhvillim të qëndrueshëm, partneritet ndërkombëtar dhe kujdes të veçantë për shtresat në nevojë.
Gjini gjithashtu përcolli mesazh urimi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Rome, duke nënvizuar mbështetjen e komunës për komunitetet dhe diversitetin kulturor.
Në Suharekë, kryetari Bali Muharremaj inspektoi punimet infrastrukturore në Sallagrazhdë dhe Nëpërbisht, duke deklaruar se projektet për përmirësimin e rrugëve dhe pastrimin e lumenjve janë dëshmi e përkushtimit për një Suharekë më të zhvilluar.
Ai mbajti edhe një tubim me qytetarë në Duhël, ku kërkoi mbështetjen për mandatin e ri me numrin 174.
Në Junik, kandidati i AAK-së Agron Kuçi u shpreh mirënjohës ndaj mërgatës për mbështetjen e vazhdueshme dhe u zotua se mandati i tij do të jetë “mandat i bashkimit të Junikasve të vërtetë dhe zhvillimit të komunës”, duke u distancuar nga, siç tha ai, “propagandat që synojnë të devijojnë vullnetin e qytetarëve”.
Ndërsa në Rahovec, kryetari Smajl Latifi u fokusua në përfshirjen e grave në vendimmarrje, duke thënë se mandati i ardhshëm do të karakterizohet nga “mbështetje e veçantë për gratë në sektorin publik dhe privat”. Në një takim me gra të komunës, Latifi tha se zhvillimi i Rahovecit nuk mund të arrihet pa kontributin e barabartë të grave dhe burrave në çdo fushë.







