Në ditën e katërt të fushatës gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kryetari aktual I Gjakokovës, Ardian Gjini kandidat edhe për një mandat 4 vjecar mbajti një tubim me pjesëmarrjen e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ky I fundit tha se Gjakova ka ndryshuar ndjeshëm nën drejtimin e Gjinit, duke theksuar investimet infrastrukturore dhe shërbimet e avancuara për qytetarët.
“Ardiani është garanci e vazhdimësisë së transformimit të Gjakovës,” u shpreh Haradinaj, duke shtuar se qytetarët kanë besim në rezultatet konkrete të qeverisjes së tij.
Në mëngjes, Gjini mori pjesë edhe në inaugurimin e Kishës Protestante “Rilindja” në Gjakovë. Ai ka falënderuar donatorët ndërkombëtarë për mbështetjen dhe duke theksuar rëndësinë e bashkëjetesës fetare në komunë.
Në Klinë, kryetari aktual Zenun Elezaj ka shpërndarë një video me punët e realizuara gjatë mandatit të tij, me moton “Fitojmë sepse punojmë – Për Klinën e të gjithëve”.
Kandidati i AAK-së në Suharekë, Bali Muharremaj, që kërkon një mandat të ri, ka prezantuar punimet për pastrimin e Lumit “Toplluha” dhe ka zhvilluar një tubim në Budakovë.
Në Junik, kandidati i AAK-së Agron Kuçi ka reaguar ndaj pretendimeve të kundërkandidatit, duke sqaruar se investimet për rregullimin e shtratit të Lumit Erenik janë realizuar me mbështetje nga Qeveria e Kosovës dhe donatorë ndërkombëtarë. Ai premtoi se, nëse merr një mandat do të me mirëmbaj infrastrukturën ujore dhe do të përfundoj rrugën Junik–Gjeravicë.
Në Rahovec, kryetari aktual Smajl Latifi ka zhvilluar një takim me veteranët e luftës, duke u zotuar për mbështetje institucionale dhe përkujdesje të vazhdueshme për këtë kategori.
Po ashtu, Latifi ka ndarë pamje nga tubimet në Hoçë të Vogël dhe Brestoc, ku ka falënderuar qytetarët për përkrahjen dhe duke theksuar se “numri 174 është zgjedhja për punë, zhvillim dhe mirëqenie”.







