Rreth 8 mijë banorëve shqiptarë në Luginën e Preshevës u janë pasivizuar adresat, një masë e shtetit serb që po u pamundëson shqiptarëve pajisjen me dokumente pas skadimit të tyre.
Kjo është një nga mënyrat e presionit për largimin e shqiptarëve nga Serbia, duke u pamundësuar edhe qasje në pronat e tyre
Nexhat Ibrahimi, banor i fshatit Shoshajë në Komunën e Preshevës, tha për RTK se ka disa javë që ka mbetur pa dokumente të Serbisë, pasi atij i është pasivizuar adresa në shtëpinë ku jeton.
Edhe përfaqësuesi i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi, këto veprime të institucioneve serbe karshi shqiptarëve në Luginë i quan tendencë të shtetit për zvogëlimin e popullsisë shqiptare, teksa thotë se ekziston frika nga forcimi politik etnik shqiptar në këto treva.
Kryetari i Bujanocit, Nagip Afiri tha se nuk kanë statistika zyrtare për pasivizimin e adresave, por nga të dhënat e mbledhura jo zyrtarisht vetëm në Komunën e Bujanocit, janë pasivizuar afro 2 mijë adresa të banorëve shqiptarë.
Nga këshilli për të drejtat e njeriut në Luginën e Preshevës , thanë se pasivizimi i adresave është zbatim selektiv i ligjit për vendbanime .
Pasivizimi i adresave të banorëve shqiptarë në Luginë, është një ndër pabarazitë që po u shkaktohet banorëve shqiptarë. Shumë nga ta, përmes pasivizimit që Serbia e bën duke zbatuar ligjin njëanshëm, po mbesin pa qasje në pronat e tyre.