Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Sipas ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare, së paku 3 familje strehuese duhet t’i ketë secila komunë në Kosovë.
Këto familje, parashihet të kujdesen për fëmijët e braktisur, deri në fazën e pavarësimit, në moshën 18 vjeç.
Por, jo gjithmonë, kjo kategori gjen ngrohtësi të përkohshme familjare në qytetin e lindjes. Ka komuna që nuk e kanë asnjë familje në dispozicion.
Të tilla janë Vushtrria, Hani i Elezit e Dragashi, kurse Fushë-Kosova ka vetëm një këso familje.
“Ne e kemi vetëm një që kujdeset vetëm për një fëmijë, por ai fëmijë është me aftësi të kufizuara, nuk kemi kërkesa të tjera për aprovim njëherë për njëherë”, tha drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Fushë-Kosovë, Abaz Xhigoli.
Nga një familje strehuese më shumë, e kanë Shtimja dhe Prishtina.
“Prishtina i ka dy familje të tilla që kujdesen për fëmijë të braktisur, shpesh shkojmë i vizitojmë, i shohim kushtet, gjendjen…”, tha drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Prishtinë, Adelina Sahiti.
Aktualisht, më së shumti familje që ka strehuar fëmijë të braktisur ka Ferizaj.
“Ne i kemi në dispozicion 6 familje strehuese që përkujdesen për më shumë se nga një fëmijë dhe dy të tjera që janë në proces ë aprovimit, ka nga ta që janë edhe me aftësi të kufizuara për çfarë është për t’u lavdëruar familjet”, tha drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi.
Pavarësisht, trendit të rënies të numrit të fëmijëve pa përkujdesje prindërore, nga SOS Fshati në Prishtinë thonë se komunat duhet të jenë më bashkëpunuese në formimin e kampanjave.
“Përmes këtyre kampanjave do të informohen familjet e interesuara për kushtet apo kriteret e kërkuara, për të shprehur vullnetin të përkujdesen për fëmijët e braktisur”, tha drejtoresha e
Programit në SOS-Fshat në Prishtinë, Ora Bytyçi.
Familjet strehuese kanë të drejtë të përkujdesen deri në 3 fëmijë të braktisur, ku për secilin prej tyre marrin nga 350 euro.
Ndërsa, në rastet kur fëmijët janë me aftësi të kufizuara, kanë të drejtë t’i strehojnë vetëm dy, ku për secilin nga ta, paguhet me nga 450 euro.