Vera në Kosovë nuk është thjesht një stinë – është ndjenjë, ritëm, kthim, e mbi të gjitha përjetim. Çdo qershor, korrik e gusht, rrugët e qyteteve mbushen me zëra, muzikë dhe gjallëri. Mijëra mërgimtarë kthehen në vendlindje për të gjetur jo vetëm familjen, por edhe vetë Kosovën. Por “çfarë i ofron Kosova diasporës gjatë verës?” është një nga pyetjet më të shpeshta.
Pikërisht kjo çështje u diskutua edhe në emisionin “Libero” në ATV, ku të ftuar ishin Medina Bunjaku, drejtoreshë për diasporën në Vushtrri, dhe Adem Morina, drejtor i Kulturës në Prizren.
Sa i përket pyetjes “Çfarë i ofron Kosova diasporës këtë verë?”, Medina Bunjaku foli për aktivitetet që organizohen në Vushtrri për mërgimtarët.
“Ne si drejtori kemi në fokus aktivitete të ndryshme që zhvillohen gjatë muajve të verës, mirëpo edhe gjatë muajve të dimrit kur frekuentohet Vushtrria më shumë nga diaspora. Vlen të theksohet që ne vetëm i kemi që tre vite radhazi, në mënyrë koherente, ‘Ditët e Diasporës’, të cilat shoqërohen me koncerte, festivale të ndryshme, si edhe konferenca shoqërore e të tjera gjatë muajit korrik dhe gusht,” tha Bunjaku.
Gjithashtu, edhe drejtori i Kulturës, Adem Morina, tregoi se çfarë i ofron Prizreni diasporës, duke theksuar se ata nuk mendojnë vetëm për verën kur bëhet fjalë për mërgimtarët, por nga muaji maj e deri në dhjetor kanë koncerte dhe aktivitete të ndryshme.
“Prizreni nuk e ka vetëm këtë pjesën e verës… Që nga muaji maj e deri në dhjetor, Prizreni ka diku rreth 25 festivale të njohura ndërkombëtarisht, e të vogla ka akoma më tepër…‘Prizren Fest’ është festivali ndërkombëtar i teatrove që fillon më datë 21 dhe përfundon më datë 28 korrik…Në këtë festival marrin pjesë rreth 25 shtete nga Evropa dhe më gjerë. Ajo që e bën të veçantë këtë festival është fakti se të gjitha shfaqjet mbahen në vende të ndryshme të qytetit të Prizrenit,” tha Morina.
Vlen të theksohet se e gjithë kjo ndodh brenda një sipërfaqeje të vogël, por me zemër të madhe. Në Kosovë, çdo qytet, çdo fshat, ka diçka për të ofruar – një përqafim, një këngë, një shëtitje në natyrë, një mbrëmje të paharrueshme. Kosova gjatë verës është vendi ku kultura tradicionale takohet me rininë moderne. Është vendi ku diaspora rikthehet jo vetëm për të pushuar, por për të qenë pjesë aktive e një vere që nuk harrohet lehtë.
Për të ndjekur emisionin e plotë klikoni në linkun e mëposhtëm: