Detaje të reja mbi klauzolat e kompleksuara në kontratën e Endrick me Real Madridin janë zbuluar nga Diario AS.
Reali arriti një marrëveshje prej 35 milionë eurosh me Palmeiras, me deri në 25 milionë euro të tjera në formë bonuseve të bazuara në performancë, të cilat u aktivizuan pasi sulmuesi mbushi 18 vjeç në vitin 2024. Duke përfshirë tarifën fikse, komisionet dhe pagën, klubi madrilen ka investuar tashmë afro 70 milionë euro te talenti brazilian.
Një pjesë e konsiderueshme e bonuseve lidhet drejtpërdrejt me performancën individuale të lojtarit: deri në vitin 2030, Real Madridi paguan 35 mijë euro për çdo gol, asist ose penallti të fituar nga Endrick, me një kufi maksimal prej 12.5 milionë eurosh. Çdo paraqitje si titullar prej të paktën 45 minutash i kushton klubit 75 mijë euro, ndërsa ekzistojnë edhe shpërblime shtesë të lidhura me sukseset ekipore.
Nga ana tjetër, Palmeiras përfiton deri në 1 milion euro për fitimin e titullit në La Liga dhe deri në 2 milion euro për paraqitjet në Ligën e Kampionëve, në varësi të rolit dhe aktivizimit të Endrick.
Me 19 vjeçarin që këtë sezon ka qëndruar shpesh në stol nën drejtimin e Xabi Alonsos dhe ka pasur vështirësi për të gjetur vazhdimësi, Real Madridi ka vendosur ta huazojë te Lyon, me qëllim mbrojtjen e investimit të bërë te talenti i ri. /ATVLIVE.TV






