Ka dështuar të mbahet takimi i 365-të i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në të cilin pritej të zgjidhej kryesuesi i ri i Këshillit.
Mbledhja dështoi pasi mungoi anëtari i KGJK-së, Ahmet Imami, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas zëvendëskryesueses Arjeta Sadiku, mbledhja nuk mund të mbahet në mungesë kuorumi.
Sadiku tha se Imami ka dërguar njoftim, përmes të cilit ka bërë të ditur se mungon për arsye shëndetësore.
Ndryshe, kandidatë për pozitën e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) janë Besnik Bislimaj dhe Rrustem Thaqi.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 12 mars shpalli konkurs për kryesues të ri, i cili ishte i hapur deri më 26 mars 2026.
Dy gjyqtarët që po kandidojnë për pozitën e të parit të Këshillit Gjyqësor janë anëtarë të këtij institucioni. Thaqi është gjyqtar në Gjykatën Supreme, kurse Bislimaj gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
Mandatin e kryesuesit i fundit e ka mbajtur gjykatësi nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, Albert Zogaj.






