Përgatiti: Arian Hajdaraj
Në ditën e tretë të dëshmisë në gjykatën speciale, në procesin ndaj Thaçit e të tjerëve, dëshmitari Shukri Buja foli për masa disiplinore që merreshin ndaj ushtarëve të UÇK-së.
Kushdo që shkelte rregullat e ushtrisë, mbahej përkohësisht në një dhomë.
“Ka qenë një vend në oborrin e komandës së brigadës por që nuk ka qenë vendndalim. Ka qenë një dhomë ku kanë qëndruar dhe kanë pas të drejtën që të dalin në oborr apo të shkojnë në kuzhinë të punojnë. Kjo ka qenë rregullativa”, deklaroi Buja.
Në vendin e posaçëm që e kishin brigadat, ushtarët, mund të mbaheshin deri në 20 ditë, sipas Bujës.
“Me i rreziku ushtarët e tjerë me të shtëna në ndonjë objekt ose ka shkelë ndonjë rregull tjetër disiplinore është marrë masa. Kjo ka qenë kompetencë që e ka shqyrtu zyra ligjore në bazë të asaj rregullore dhe pastaj ia ka sjellë komandantit për nënshkrim”, tha Buja.
Pas deklarimit për trajtimin e ushtarëve, Buja u pyet edhe nëse ka pasur qendra të ndalimit për palë tjera. Për këtë çështje, ish-ushtaraku tha se ka pasur vetëm kontroll dhe legjitimim, e asnjëherë arrestime.
“Ka pas raste kur është ndalu edhe vëllai im i cili ka qenë anëtar i kryesisë së LDK-së dhe në kërkesën e tij për të shkuar në Negroc dhe ushtarët kanë dyshuar sepse në Negroc nuk kanë pas arsye”, tha Buja.
Në pyetjet e prokurorit, Buja tha se nuk i kujtohet ndonjë rast kur ushtarët e UÇK-së kanë kryer ndonjë krim.