Espanyoli duket se ka lënë pas vitet e errëta dhe këtë sezon është rikthyer si një rival serioz, duke synuar kualifikimin në garat evropiane. Ky rikthim i ka dhënë edhe më shumë peshë derbit të
Katalonjës ndaj Barcelonës, një ndeshje që tradicionalisht shoqërohet me emocione të forta dhe tension të lartë.
Megjithatë, këtë herë vëmendja nuk është vetëm te rivaliteti sportiv. Në qendër të polemikave ndodhet portieri, Joan Garcia, që gjatë verës u largua nga Espanyoli për t’iu bashkuar Barcelonës – një vendim që ka zemëruar tifozët bardhekaltër.
Përkrahësit e Espanyolit e shohin këtë lëvizje si një tradhti, çka ka shtuar frikën për incidente gjatë ndeshjes. Si pasojë, klubi ka vendosur të rrisë masat e sigurisë në stadium, duke shtuar numrin e stjuardëve për të garantuar rend dhe qetësi.
Derbi do të luhet më 3 janar dhe do të shënojë ndeshjen e parë të vitit 2026 për të dyja skuadrat, në një përballje që pritet të jetë jo vetëm futbollistike, por edhe emocionale. /ATVLIVE.TV






