Deklarata e përbashkët për të zhdukurit, edhe pas një viti vetëm në letër

Përgatiti: Arton Hamiti

Teksa në Mitrovicë të Veriut, të mërkurën u gjetën mbetjet mortore të një viktime që dyshohet se i përket luftës së fundit në Kosovë, dhe po gërmohet edhe në një lokacion në Suharekë, në territorin e Serbisë aktualisht nuk po gërmohet.

Ndërsa, Deklarata e Përbashkët për Personat e Zhdukur, e dakorduar në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, vazhdon të mos zbatohet. Sipas Bashkimit Evropian, palët nuk janë pajtuar për termat e referencës.

“Zbatimi i Deklaratës së Përbashkët nuk ka filluar ende. Kjo do të ndodhë vetëm kur palët të pranojnë dhe të pajtohen për Termat e Referencës të komisionit të përbashkët. Kjo nuk ka ndodhur, dhe kjo u diskutua në takimin e fundit të kryengocitarëve më 24 tetor në Bruksel. Derisa një marrëveshje nuk është arritur, por është brenda mundësive për t’u arritur, ne po presim ende komente në disa aspekte, që shpresoj se do t’i kemi shpejt që të mund të lëvizim përpara”, tha zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

Sipas Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur në Kosovë, Serbia vazhdon me lojëra duke e politizuar edhe këtë çështje, të ndjeshme në aspektin njerëzor.

“Pavarësisht kërkesave për qasje në arkiva dhe në informacione nuk kemi asnjë përgjigje nga Serbia. Ky shtet e ka politizuar edhe këtë çështje. Sfidë e madhe mbetet fakti se nuk kanë dhënë informacione ose konfirmime për lokacionet e dyshuara që të nisin gërmimet apo të vazhdojnë”, tha Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit.

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2023-tën për Deklaratën e Përbashkët për Personat e Zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA