Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dafina Zeqiri, ka bërë të ditur se vazhdon të performojë edhe gjatë shtatzënisë, duke theksuar rëndësinë që muzika ka pasur gjithmonë në jetën e saj.
“Unë jam shtatzënë dhe vazhdoj të performoj në koncerte, sepse kjo është arsyeja përse e kam nisur këtë rrugëtim që në fillimet e mia. Që nga fëmijëria, performanca dhe muzika kanë qenë terapi për mua – më kanë ndihmuar të përballem me depresionin, të shprehem lirshëm dhe të përballoj sfidat e jetës, qofshin ato emocionale apo fizike. Edhe kur nuk jam ndier mirë, skena ka qenë vendi im i shërimit,” ka shkruar ajo.
Ajo gjithashtu ka përcjellë një mesazh fuqizues për gratë, duke thënë se çdo grua ka të drejtën të vazhdojë karrierën e saj gjatë shtatzënisë, për sa kohë që është e shëndetshme dhe ka një shtatzëni të sigurt.
“Të jesh shtatzënë nuk do të thotë se je e sëmurë apo se duhet të ndalosh jetën tënde,” ka shtuar këngëtarja, duke dhënë një mesazh motivues për të gjitha gratë që ndjekin ëndrrat e tyre.
Pavarësisht ndryshimeve në jetën e saj, Dafina vazhdon të jetë energjike dhe e pranishme për publikun e saj. Performancat e saj të fundit kanë pasur një emocion dhe ndjesi të veçantë, pasi ajo ka shfaqur me krenari barkun e saj të rrumbullakosur, duke reflektuar gëzimin dhe sigurinë e saj në këtë fazë të re të jetës./ NO FILT /