Konflikti për Ngushticën e Hormuzit po përshkallëzohet më tej. Presidenti i SHBA-së, Trump, kërcënon me sulme ndaj impianteve energjetike të Iranit. Edhe Teherani kërcënon.
Konflikti për Ngushticën e Hormuzitpo përshkallëzohet ndjeshëm. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dhënë Iranit një ultimatum 48-orësh për të hapur këtë rrugë detare strategjike, duke kërcënuar se në të kundërt do të sulmojë termocentralet iraniane. Ngushtica e Hormuzit është një nyje kyçe për tregtinë botërore të naftës dhe të gazit, sepse përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë. Nga ana tjetër, Irani ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet ashpër.
Irani mund ta bllokojë lehtësisht Ngushticën e Hormuzit
Irani i ka kapacitet ushtarake për ta bllokuar relativisht lehtë Ngushticën e Hormuzit, gjë që tashmë ka ndikuar në uljen e trafikut detar dhe rritjen e tensioneve ndërkombëtare.
Irani ka mundësi të shkaktojë dëme të mëdha me mjete relativisht të thjeshta. Sipas një raporti të “New York Times” shefi i Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-së, Dan Caine, e paralajmëroi Trumpin gjatë një takimi në Zyrën Ovale se edhe një ushtar i vetëm iranian mund t’u afrohet anijeve të transportit me një varkë me motor të shpejtë dhe t’i qëllojë me predhë ose të vendosë një minë.
Objektiva të mundshëm të SHBA-së
Trump ka deklaruar se do të fillojë me “termocentralin më të madh” në Iran, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ka gjasa që në shënjestër të jenë centralet me gaz, pasi rreth 80% e energjisë elektrike në Iran prodhohet nga gazi natyror. Ndër më të rëndësishmit është centrali në Damavand, pranë Teheranit, me kapacitet mbi 2.800 megavat, si dhe një tjetër në provincën Mazandaran, pranë Detit Kaspik, me kapacitet mbi 2.200 megavat .
Një sulm i mundshëm amerikan ndaj këtyre objekteve do të kishte pasoja të rënda për popullsinë, duke rrezikuar furnizimin me energji elektrike, ujë si dhe funksionimin e ekonomisë.
Si mund të kundërpërgjigjet Irani
Irani ka paralajmëruar se nëse nisin sulmet do ta mbyllë plotësisht Ngushticën e Hormuzit dhe nuk do ta rihapë derisa termocentralet e shkatërruara të rindërtohen. Gjithashtu Teherani ka kërcënuar edhe me sulme ndaj impianteve të shkripëzimit të ujit në vendet e Gjirit Persik, të cilat janë jetike për furnizimin me ujë të pijshëm në këtë rajon.
Këto impiante janë me rëndësi jetike, pasi vendet e Gjirit Persik kanë shumë pak burime natyrore uji të ëmbël dhe mbi 90% e ujit të pijshëm në disa vende si Katari dhe Bahreini sigurohet prej tyre impianteve të shkripëzimit. Sulmet ndaj tyre mund të rrezikojnë furnizimin me ujë për miliona njerëz dhe të dëmtojnë sektorë të rëndësishëm si industria kimike dhe qendrat e të dhënave.
Dëmet afatgjata për rajonin
Sipas analistëve, dëmtimi i një impianti të vetëm mund të kompensohet përkohësisht, por sulmet e koordinuara me raketa dhe dronë ndaj rrjeteve të shpërndarjes së ujit do të kishin pasoja shumë më të rënda. Përveç ndikimit praktik, i madh do të ishte edhe efekti psikologjik, dëmtimi i imazhit të sigurisë dhe të stabilitetit në rajon, i cili mund të largojë investitorët, turistët dhe partnerët ekonomikë.
Në përgjithësi, përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit rrezikon të ketë pasoja serioze humanitare, ekonomike dhe gjeopolitike ndërkombëtare. /DW






