Për rreth një orë rresht, mijëra qytetarë të cilët morën pjesë në tubim kërkuan drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për të ashtuquajtura krime kundër njerëzimit.
Gjatë tubimit u hap një pankartë e madhe me fotografitë e krerëve të UÇK-së ku shkruhej: “Çlirimtarët duhet të nderohen, jo të gjykohen”.
Protesta u zhvillua nën mbikëqyrje të rreptë policore dhe pa ndonjë incident të raportuar.
Qëllimi i protestës, e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, ishte shprehja e pakënaqësive ndaj gjyqit ndaj ish-eprorëve të saj në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi më 2023 dhe pritet të përmbyllet në fillim të vitit të ardhshëm.
Të gjithë ata mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, tha se sot “jemi mbledhur këtu për ta ngritur zërin” dhe për të kërkuar “drejtësi të mirëfilltë” për ish-krerët e UÇK-së.
“Ne sot, me këtë numër kaq të madh njerëzish… i tregojmë Trendafilovës se Ushtria Çlirimtare e Kosovës buron, lind dhe vepron nga populli,” tha Gucati duke iu referuar Ekaterina Trendafilovës, kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ai shtoi se UÇK-ja “u rrit dhe u mbrojt nga populli dhe sot populli i qëndron mbrapa asaj. Ne sot kërkojmë drejtësi. Kjo gjykatë i ngjan gjykatave të Serbisë dhe merret me fakte të falsifikuara dhe fabrikuara, të cilat nuk qëndrojnë”.
Në protestë morën pjesë edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe politikanë nga Kosova, si Fatmir Limaj dhe Daut Haradinaj.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ditë më parë ka deklaruar se nuk e mbështet këtë protestë, por ka siguruar se institucionet do të kujdesen që gjithçka të zhvillohet sa më mirë dhe pa incidente.
Para kësaj proteste, OVL-UÇK ka mbajtur protesta edhe në Hagë, Tiranë, Strasbourg dhe Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Gjykatën Speciale për krime që pretendohet se janë kryer gjatë luftës në Kosovë.






