Këngëtarja shqiptare me famë botërore Bebe Rexha ka nisur zyrtarisht epokën e saj të re muzikore me publikimin e këngës së parë nga albumi i ri vizual, Dirty Blonde.
Projekti shërben si paralajmërim për albumin e shumëpritur I Like You Better Than Me, i cili ka ngjallur interes të madh tek fansat.
Kënga është publikuar në të gjitha platformat muzikore dhe shënon nisjen e një serie prej 13 këngësh që do të lansohen gradualisht. Duke qenë se bëhet fjalë për një album vizual, çdo projekt pritet të shoqërohet me videoklip, duke e kthyer publikimin në një eksperiencë të plotë audiovizuale.
Në të njëjtën ditë, artistja publikoi edhe një video përmbledhëse me fragmente nga të gjitha këngët e albumit. Një nga momentet që mori më shumë vëmendje ishte pjesa nga kënga “Çike ike”, ku ajo surprizon duke kënduar në shqip vargjet:
“Çike çike, luje belin çike;
Ti je një bombë, bombë atomike.”
Ky detaj është pritur me entuziazëm të madh nga publiku shqiptar.
Albumi i plotë pritet të publikohet së shpejti dhe, bazuar në reagimet e para, pritet të jetë një tjetër sukses i rëndësishëm në diskografinë e artistes.






