Në mbledhjen e 366-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), propozimi i të anëtarit Fahret Vellija që në rend dite të futet shpallja e konkursit për zëvendëskryesues nxiti debat mes anëtarëve.
Fillimisht, anëtari Vellija tha se nuk duhet të përsëritet gabimi që e kanë bërë si Këshilli me pozitën e kryesuesit. Propozoi që të shpallet konkursit për zëvendëskryesues me qëllim që kjo pozitë të mos mbete vakante, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Gabimi që e kemi ba me kryesuesin mos ta bëjmë me zëvendëskryesuesin”, tha Vellija.
Më pas, anëtari tjetër- Artan Abazi tha se duhet të kemi parasysh Rregulloren për zgjedhjen e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit, ku specifikohet se pozitat plotësohen 30 ditë pasi që ato të mbesin të lira.
Abazi bëri thirrje që Këshilli të mos shkel rregulloret e veta, duke thënë se e kanë shkelur tashmë Rregulloren për zgjedhjen e anëtarëve të KGjK-së nga gjykata themelore.
“Nuk duhet për herë të dytë me shkel rregulloren. Rregullorja po thotë 30 ditë pasi të mbetet vakant duhet të hapet e jo 30 ditë para dhe cili e çon dorën me shkel rregulloren, e shkelin rregulloren”, tha Abazi.
Më pas, fjalën e mori anëtari Besnik Bislimaj, duke thënë se nuk mund t’i faturohet shkelja e rregullores për mosshpallje të konkursit për anëtar të KGJK-së dështimit të takimeve, pasi që në rend dite nuk ka qenë asnjëherë në ato takime propozimi për shpalljen e konkursit.
Edhe anëtari tjetër, Rrustem Thaqi tha se pozita e zëvendëskryesuesit është e plotësuar dhe se aktualisht zëvendëskryesuesja ka mandat dhe se nuk ka nguti që kjo pozitë të plotësohet.
Më pas, Vellija pyeti se çka nëse përfundon mandati i zëvendëskryesueses dhe se Këshilli dështon sërish ta zgjedh kryesuesin, duke shtuar se do të mbetet Këshilli i pafunksionalizuar.
Ndërkaq, Thaqi tha se kjo nuk qëndron si arsyetim pasi që mbledhjet udhëhiqen nga anëtari më i vjetër në rast se pozita e zëvendëskryesuesit mbetet e lirë.
Anëtari Abazi gjatë diskutimeve tha se Këshilli është penguar në punën e tij, duke munguar anëtarët vazhdimisht në mbledhje. Tha ase natyrshëm mendon se edhe te pjesa e propozimit për zëvendëskryesues ka diçka mbrapa propozimit.
“Unë gjithëherë flas tu u nis nga faktet, prova dhe provoja, tu e pas faktin e pengesës së mbajtjes së mbledhjes së Këshillit Gjyqësor në vazhdimësi, të një fakti të njëjtë pa ndryshu fakti fare, sëmundje, sëmundje- më çon me mendu se apet ka diçka mbrapa dhe mendoj se ka prapavijë edhe kjo sepse ka prapavijë edhe kjo. Askush s’mundet me thanë se ka diçka të paimagjinueshme”, u shpreh Abazi.
Në anën tjetër, anëtari Fidan Hoxha propozoi që t’i drejtohen Zyrës Ligjore për konsultim lidhur me pikën për shpalljen e konkursit për zëvendëskryesues.
Më pas, anëtari tjetër, Bashkim Hyseni tha se në rast se vazhdimisht diskutohet, do të mbesin tërë ditën duke propozuar që të hidhet direkt në votim propozimi i anëtarit Vellija, propozim ky që mori përkrahje me gjashtë vota për dhe pesë kundër, që në rend dite të jetë shpallja e konkursit për zëvendëskryesues.
Mbledhja po vazhdon me dyer të mbyllura, ndërkaq në orën 12:00 pritet të hapet.
Me dyer të mbyllura po trajtohen rastet disiplinore: Shqyrtimi i raportit mbi faktet dhe provat e mbledhura për rastin disiplinor Nr: AD/KGJK/01/2026/GJKK-AD.GJKK.nr.01/2026; Shqyrtimi i ankesës Nr.01/602, të datës 14 prill 2026; Shqyrtimi i ankesës Nr.01/560, të datës 17 mars 2026; Shqyrtimi i kërkesës të datës 12 maj 2026, si dhe Shqyrtimi i ankesës së datës 5 maj 2026.





