Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se është e papranueshme dhe e trishtë aji që ka ndodhur të premten në Bukuresht në ndeshjen mes Kosovës dhe Rumanisë, ku si pasojë e thirrjeve raciste të tifozëve rumunë loja u ndërpre, pak minuta para përfundimit.
Përmes një postimi në Facebook, Çeku ka thënë se mbrëmë u mbrojt shteti i Kosovës dhe se racizmi nuk ka vend.
“E papranueshme dhe e trishtë ajo që ndodhi në Bukuresht në ndeshjen mes Kosovës dhe Rumanisë. Sërish mesazhe politike e brohoritje provokuese nga tifozëria rumune”, shkroi Çeku.
Ministri bëri të qartë se qëndrojnë prapa djemve të Kosovës. “Ngjarja e djeshme shkel thellësisht vlerat e sportit, i cili duhet të shërbejë për bashkim dhe jo për nxitjen e urrejtjes dhe përçarjes”, shtoi.
Ai theksoi se dënojnë çdo formë të racizmit dhe fyerjeve ndaj shtetit dhe apeloi për masa nga institucionet ndërkombëtare të futbollit, për të mbrojtur integritetin e ngjarjeve sportive dhe për të ruajtur respektin dhe dinjitetin mes shteteve.
Përveç kësaj, Çeku ofroi gjithashtu mbështetjen e plotë për Federatën e Futbollit të Kosovës të cilët kanë nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s.