Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka ngritur shqetësime serioze për gjendjen aktuale të futbollit italian, duke theksuar se hendeku mes Serie A dhe elitës evropiane po zgjerohet gjithnjë e më shumë.
Në një intervistë për “Il Giornale”, Ancelotti u shpreh se problemi kryesor lidhet me mungesën e ritmit dhe intensitetit në lojë, jo vetëm në aspektin fizik, por edhe në atë mendor.
“Sipas tij, dallimi themelor është ritmi, përqendrimi dhe pjesëmarrja e vazhdueshme në lojë. Futbolli italian e ka humbur këtë,” u shpreh ai.
Ai theksoi gjithashtu se Italia ka humbur një nga pikat e saj më të forta historike: organizimin dhe qëndrueshmërinë mbrojtëse. Sipas Ancelottit, fokusi i tepruar te taktika ka ndikuar negativisht në stilin tradicional të lojës.
“Futbolli nuk është vetëm të shënosh më shumë, por edhe të pësosh më pak. Nëse nuk rikthejmë mentalitetin mbrojtës, do të vazhdojmë të vuajmë,” deklaroi ai.
Duke komentuar ndeshjet e fundit në Ligën e Kampionëve, Ancelotti tha se ndeshjet me shumë gola shpesh tregojnë edhe dobësi në mbrojtje dhe gabime individuale.
“Ndeshje si Atletico Madrid–Barcelona apo Bayern Munich–Real Madrid janë spektakolare, por shumë gola nënkuptojnë edhe shumë gabime nga mbrojtësit dhe portierët,” shtoi ai.
Në fund, ai ngriti shqetësimin edhe për të ardhmen e futbollit italian, duke theksuar se Serie A nuk po arrin më të tërheqë talentet më të mëdha, pasi tregje të tjera janë bërë më konkurruese






