Aktori britanik Callum Turner po shihet si kandidati kryesor për të marrë rolin legjendar të James Bond, sipas raportimeve të fundit nga mediat britanike. I njohur për paraqitjet e tij në filma si Fantastic Beasts, The Boys in the Boat dhe Green Room, Turner ka fituar së fundmi një vëmendje të shtuar në industrinë e filmit.
35-vjeçari ka marrë vlerësime të shumta pas rolit të tij në komedinë romantike të A24, Eternity, ku luan përkrah Elizabeth Olsen dhe Miles Teller. Sipas John Hill nga kompania e basteve Coral, mbështetja për Turner është rritur ndjeshëm në 24 orët e fundit, duke e bërë atë favorit absolut për rolin e agjentit 007.
Megjithatë, gara mbetet e hapur, pasi në listë vazhdojnë të jenë emra të njohur si Aaron Taylor-Johnson, Henry Cavill dhe disa aktorë të tjerë. Një nga avantazhet kryesore të Turner-it lidhet me moshën, pasi producentët po kërkojnë një aktor relativisht të ri për të ndërtuar një kapitull afatgjatë të sagës Bond.
Sipas Deadline, regjisori Denis Villeneuve synon të sjellë një “fytyrë të re” në filmin e ardhshëm Bond 26, i cili do të jetë një riboot i plotë i historisë. Ngjarjet nuk do të lidhen me No Time to Die (2021), ndërsa personazhi i James Bond do të mbetet mashkull, në përputhje me vizionin origjinal të krijuesit Ian Fleming.






