Eugen Cakolli nga KDI ka paralajmëruar se zvarritja e procesit për krijimin e institucioneve të reja mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme në fund të këtij viti.
I ftuar në emisionin “Click” në RTV21, Cakolli ka thënë se sipas afateve ligjore, data e fundit për mbajtjen e zgjedhjeve bie në fund të muajit nëntor, por vonesat në proces mund të bëjnë që ato të shtyhen deri në fund të dhjetorit.
“Data e fundit për mbajtjen e zgjedhjeve është fundi i muajit nëntor. Nëse e marrim për bazë përvojën e vitit të kaluar, mjafton të ketë një shtyrje me një krizë të sajuar. Mjafton edhe vetë dërgimi i pyetjes presidenti apo qeveria për Gjykatën, procesi mund të zvarritet dhe vendi mund të ketë mundësi t’i drejtohet kutive të votimit më 27 dhjetor, që është një opsion që është diskutuar”, ka deklaruar Cakolli.
Sipas tij, çdo vonesë në funksionalizimin e institucioneve mund të ndikojë në kalendarin politik dhe të hapë mundësinë për një proces të ri zgjedhor.





