Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të vazhdojë të mbështesë misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, edhe për të paktën tre vitet e ardhshme.
Sipas faqes zyrtare të qeverisë britanike, vendi ka qenë një kontribues kyç i KFOR-it që nga viti 1999 dhe fokusi kryesor është një forcë rezervë prej qindra ushtarësh britanikë që mund të vendosen në Kosovë me njoftim të shkurtër, në rast nevoje. Vendosja më e fundit e madhe ishte në vitin 2023 pas sulmeve kundër policisë në veri të Kosovës.
Zgjatja e mbështetjes deri në dhjetor 2028 përmbush strategjinë “NATO e para” dhe synon të rrisë sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Njoftimi vjen ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer pret sot Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Londër për të diskutuar bashkëpunimin rajonal dhe menaxhimin e migracionit të parregullt.
Ministri i Forcave të Armatosura, Al Carns, theksoi se qindra misione të kryera gjatë dekadave në mbështetje të KFOR-it kanë kontribuar në stabilitetin e rajonit, ndërsa trajnime të reja për vendet e Ballkanit Perëndimor do të fillojnë vitin e ardhshëm për të ndihmuar në ndërtimin e mirëkuptimit mbi mbrojtjen e jetës së civilëve dhe rolin e grave në siguri.
KFOR-i, i mbështetur nga më shumë se 30 vende, u krijua pas fushatës ajrore të NATO-s në vitin 1999 për të parandaluar një katastrofë humanitare në Kosovë. Mbretëria e Bashkuar mbetet një aleat kryesor dhe partner i rëndësishëm i Kosovës, e cila u njoh si shtet i pavarur nga Britania në vitin 2008.