David Dalrymple, drejtor programi dhe ekspert i sigurisë së inteligjencës artificiale (IA) në agjencinë kërkimore Aria të Mbretërisë së Bashkuar, ka deklaruar për The Guardian se kapacitetet e teknologjisë po rriten me ritme alarmante.
Sipas tij, sistemet e avancuara të IA-së po shkojnë drejt aftësisë për të kryer të gjitha funksionet që sot realizohen nga njerëzit, madje më shpejt, më lirë dhe me cilësi më të lartë. “Ne rrezikojmë të tejkalohemi në të gjitha fushat kyçe që na mundësojnë kontrollin mbi shoqërinë, ekonominë dhe planetin”, tha Dalrymple.
Eksperti vëren se ekziston një hendek i madh mes sektorit publik dhe kompanive të teknologjisë në kuptimin real të fuqisë së përparimeve që priten në vitet e ardhshme. “Gjërat po ecin jashtëzakonisht shpejt dhe mund të mos kemi kohë të mjaftueshme për t’u paraprirë rreziqeve nga këndvështrimi i sigurisë,” theksoi ai, duke shtuar se brenda pesë vitesh shumica e detyrave me vlerë ekonomike mund të kryhen nga makinat.
Dalrymple paralajmëroi se qeveritë nuk duhet të supozojnë se sistemet e avancuara të inteligjencës artificiale janë të besueshme. Sipas tij, presioni ekonomik po e lë pas zhvillimin e mekanizmave të sigurisë. Për këtë arsye, fokusi duhet të jetë në kontrollin dhe zbutjen e pasojave negative të teknologjisë, veçanërisht në sektorë kritikë si energjia dhe infrastruktura.
Në të njëjtën kohë, Instituti i Sigurisë së Inteligjencës Artificiale i qeverisë britanike (AISI) raportoi këtë muaj se aftësitë e modeleve të avancuara të IA-së po përmirësohen me shpejtësi në të gjitha fushat, ndërsa performanca në disa prej tyre po dyfishohet çdo tetë muaj.
Sipas AISI, modelet kryesore janë tashmë në gjendje të kryejnë detyra në nivel praktikanti në rreth 50% të rasteve, nga rreth 10% një vit më parë. Po ashtu, disa sisteme të avancuara mund të kryejnë në mënyrë autonome detyra që një eksperti njerëzor do t’i kërkonin më shumë se një orë.
Një nga shqetësimet kryesore të sigurisë mbetet aftësia e vetë-riprodhimit të sistemeve të inteligjencës artificiale. Testimet e kryera nga AISI treguan se dy modele shumë të avancuara arritën norma suksesi mbi 60%, megjithatë instituti theksoi se skenarët ekstremë mbeten të pamundur në kushtet e përditshme reale.
Dalrymple parashikon se deri në fund të vitit 2026, inteligjenca artificiale do të jetë në gjendje të automatizojë punën kërkimore dhe zhvillimore në shkallë të gjerë, duke sjellë një përshpejtim të mëtejshëm të zhvillimit teknologjik dhe duke rritur nevojën për masa urgjente sigurie.






