Për shkak se garazhi nëntokësor i Pallatit të Drejtësisë është shndërruar në depo për pasuritë e sekuestruara nga Policia e Kosovës, kryesisht pajisje të lojërave të fatit, nga viti i kaluar të paraburgosurit dhe të burgosurit po detyrohen t’i shfrytëzojnë hyrjet kryesore të këtij objekti për qasje në sallat gjyqësore.
Ekspozimi i tyre para publikut dhe medias në atë mënyrë po konsiderohet në kundërshtim me parimin e mbrojtjes së të dhënave të tyre pasi, derisa ndaj tyre nuk ka një vendim gjyqësor të plotëfuqishëm, vlen prezumimi i pafajësisë.
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama u shpreh se nga viti i kaluar është bllokuar qasja e të paraburgosurve në hyrjen e veçantë në pjesën e garazhit në Pallatin e Drejtësisë.
Ajo theksoi shqetësimin se me ekspozimin e personave të privuar nga liria që janë në paraburgim po u cenohet e drejta e tyre.
“Prej vitit të kaluar ajo pjesë e hapësirës, qasja për Shërbimin Korrektues dhe Policinë është bllokuar për shkak se aty janë sjellë disa gjëra të sekuestruara në procedurë paraprake, të cilat kanë qenë të vendosura dhe të ruajtura nga ana e policisë me një vend tjetër në Belveder në Mitrovicë dhe për shkak se nuk kanë pas ku tjetër me i vendos i kanë vendosur brenda Pallatit të Drejtësisë dhe në fakt neve na është bërë e pamundur tani t’i shfrytëzojmë, sepse nuk kemi qasje në atë pjesë sepse është e bllokuar dhe çelësat i përdorin vetëm Policia dhe MPB, të cilët janë edhe përgjegjës për menaxhimin e objektit të Pallatit të Drejtësisë. Kjo na ka sjell problem për shkak se personat që vijnë nga paraburgimi duhet t’i fusim nga hyrja kryesore… në fakt po iu shkelet e drejta për shkak se ata kanë të drejtën e prezumimit të pafajësisë deri në momentin të shpallen fajtorë me vendim të gjykatës por që ne si gjykatë nuk kemi mundësi tjetër kah t’i fusim brenda sallës për tu mbajtur seanca”, tha ajo.
Shabani-Rama u shpreh se për vendosjen e rreth 1 mijë pajisjeve të lojërave të fatit ka ardhur urdhri si vendim dhe nuk kanë kërkuar leje.
“Kam bërë vazhdimisht kërkesa, fillimisht ka qenë vetëm njoftim, sepse nuk ka qenë kërkesë që të më drejtohen mua apo edhe përgjegjësve të tjerë, sepse Pallati i Drejtësisë nuk është vetëm i Gjykatës Themelore të Prishtinës është edhe i Prokurorisë dhe gjykatave të tjera, nuk kemi pas kërkesë që ‘a mund ta shfrytëzojmë atë pjesë’ por kemi pas vetëm kërkesë që do të thotë ‘prej kësaj dite do të sillen’ janë sjellë gjatë vikendit prej disa kompanive të kontraktuara, janë objekte shumë të mëdha, janë lojëra të fatit dhe janë diku mbi 1 mijë kështu e kanë zënë krejt atë hapësirë… objektet janë vendosur aty, por askush nuk po e pranon përgjegjësinë apo fajin”, u shpreh kryetarja e GjTHP-së.
Ndërsa, monitoruesja e Qendrave Korrektuese nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Fatmire Haliti u shpreh se ekspozimi i të paraburgosurve para publikut është në kundërshtim me parimin e mbrojtjes së të dhënave të tyre personale.
“Çdo person derisa mos të dënohet me një dënim të plotëfuqishëm është i pafajshëm dhe nuk mund ta fajësojmë dhe ekspozojmë para masës. Ne i kemi parë kohëve të fundit çdo herë që të arrestuarit ekspozohen para publikut, para medieve, gjë që është në kundërshtim me parimin e mbrojtjes së të dhënave të këtyre personave, mos publikimit të tyre, sepse ata deri të mos dënohen janë të pafajshëm. Dhe me këtë rast e dimë se janë hapësirat e veçanta në Pallatin e Drejtësisë për të cilat është paraparë një rrugë tjetër për të hyrë në pallat, por tani ato hapësira përdorën për qëllime të tjera… Ajo hapësirë është e dedikuar për kalimin e personave të arrestuar dhe sillen nga gjykata dhe nuk duhet të shërbejë për qëllime të tjera, në këtë rast për mjete të konfiskuara që janë në ato hapësira”, theksoi ajo.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bënë të ditur se administrimi me këto hapësira bëhet nga Administrata e Pallatit të Drejtësisë.
Nga zyra për media e kësaj ministrie theksuan se kompetencë e këtij dikasteri është vetëm mirëmbajtja higjienike dhe teknike e pallatit.
“Lidhur me lirimin e hapësirave të garazhit nëntokësor në Pallatin e Drejtësisë, ju njoftojmë se administrimi i Pallatit të Drejtësisë, bëhet nga vetë gjykatat dhe prokuroria përmes këshillit përkatës. Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht DSPIMNQ, përkujdeset vetëm për mirëmbajtjen higjienike dhe teknike të Pallatit”, u bë e ditur në shkresën e MPB-së.
Kujtojmë që, gjatë muajve të dimrit seancat ishin shtyrë në Pallatin e Drejtësisë për shkak të temperaturave të ulëta, ndërsa gjatë verës së kaluar, i njëjti objekt kishte pasur telashe me mungesë të oksigjenit dhe klimatizimit. Dhe si pasojë e kësaj situate të krijuar, kishte nisur hapja e dritareve në këtë objekt, që nuk kishte qenë e lejuar më parë.