Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është deklaruar sa i përket bllokimit të llogarisë së Komunës së Suharekës. Ai ka thënë se ankesat karshi qeverisë në këtë drejtim janë në adresë të gabuar, pasi qeveria nuk bllokon këto llogari.
Në një konferencë për media të martën, ministri tha se po ka tendencë të shfrytëzohen për sulme politike ndaj qeverisë.
Ndërsa, ka folur edhe për kontratën kolektive, për të cilën u shpreh se nënshkruesi i kësaj kontrate ka qenë bashkëpartiaku i kryetarit që dje ishe ankuar se qeveria ka bllokuar llogaritë.
Ai ka theksuar se bllokimet bëhen nga përmbaruesit dhe nga urdhrat e formës së prerë të gjykatave, vendimeve të gjyqësorit për pagimin e obligimeve të prapambetura.
“Në lidhje me llogaritë e komunave dhe bllokimin që kishim rastin më e fundit, konsideroj që ankesat edhe janë në adresë të gabuar, dhe madje po ka tendencë të shfrytëzohen për sulme politike ndaj qeverisë. Në vazhdimësi kemi parë nga eksponentë qoftë nga Asociacioni i Komunave apo edhe nga niveli komunal, që të tentohet të bëhet bartja e fajit. Qeveria nuk bllokon llogari, nëse ka shkuar njoftimi prej thesarit që po bllokohen llogaritë, është ngjashëm sikur të pretendojmë, që kur vjen mesazhi që të ka dalë paga në banka, banka ta ka qit pagën, në fakt punëdhënësi e ka qit, por banka të njofton. Edhe në këtë rast, thesari është banka e komunave që i njofton për veprimet që ndërmerren, dhe nuk ka bllokim të llogarive të tilla. Bllokimet bëhen nga përmbaruesit dhe nga urdhrat e formës së prerë të Gjykatave, vendimeve të gjyqësorit për pagimin e obligimeve të prapambetura. As tendencë politike nuk ka këtu e as nuk është obligim i qeverisë që qeveria ua ka bartë. Se paku kjo qeveri nuk u ka bartë komunave këtë obligim, çfarëdo politike që kemi shtuar në këtë mandat, e kemi përcjellë edhe me buxhetin përkatës”, ka thënë Murati.