Blenard Azizaj, figura qendrore e mbrëmjes “Ta zbardhi ftyrën” më 21 nëntor

Më 21 nëntor, në Teatrin e AAB-së në Fushë Kosovë, KultPlus sjell edicionin e tetë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, me balerinin dhe koreografin shqiptar me famë ndërkombëtare Blenard Azizaj si figurë qendrore të këtij viti. Ngjarja nis në ora 20:00.
Ky format, i njohur për vlerësimin e artistëve shqiptarë që veprojnë jashtë vendit, këtë edicion i ndan çmimin “Ta zbardhi ftyrën” Azizajt, i cili vjen në Kosovë pas suksesit të madh në Angli me shfaqjen “Balkan Erotic Epic” të Marina Abramović, ku ai jo vetëm ka performuar, por edhe ka realizuar koreografinë.
Reklamë
Drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, ka theksuar se pavarësisht karrierës së tij të shkëlqyer në Gjermani, Francë, Zelandë të Re, Meksikë, Hong Kong, Brazil e Angli, kjo është hera e parë që Azizaj prezantohet para publikut kosovar. Nga janari 2026 ai nis një tur ndërkombëtar me të njëjtën shfaqje.
Mbrëmja ndahet në dy pjesë: fillimisht një bashkëbisedim me artistin dhe më pas një performancë e tij ekskluzive për publikun kosovar.
“Ta zbardhi ftyrën” njihet për sjelljen e disa prej emrave më të suksesshëm shqiptarë në botë, ndërsa mbështetet nga MKRS, RTK, AMC dhe Labi Wine.











