Sulmuesi, Bernard Berisha, zhvilloi një paraqitje pozitive me Dinamon në fitoren e Superkupës ndaj Egnatias në Shqipëri me rezultat 3-1.
Anësori 34-vjeçar e nisi ndeshjen si titullar dhe tregoi një nivel të lartë loje. Pas përfundimit të takimit, ai foli për mediat, ku dha edhe një sinjal të qartë për trajnerin Ilir Daja në lidhje me minutazhin e tij.
“Është një ndjenjë shumë e bukur të rikthehesh në Shqipëri dhe të fitosh një trofe. Dua ta falënderoj gjithë ekipin për angazhimin dhe shpresoj të vazhdojmë kështu,” u shpreh Berisha.
Ai pranoi se dëmtimet dhe gjendja fizike kanë ndikuar në aktivizimin e tij gjatë gjysmës së sezonit. “Dëmtimi dhe forma fizike kanë ndikuar në rendimentin tim. Dëshiroj të kem edhe më shumë minuta në fushë,” shtoi ai.
Berisha theksoi se, pavarësisht minutazhit të kufizuar në disa ndeshje, trofeu mbetet më i rëndësishmi. “Pas ndeshjes me Elbasanin nuk kam pasur shumë minuta, por kjo ka pak rëndësi kur fiton një trofe. Puna e madhe që po bëhet te Dinamo duhet të reflektohet në fushë, ashtu si sot,” përfundoi sulmuesi.






