7.7 C
Pristina
Friday, February 6, 2026

BE ultimatum TikTok-ut: Ndryshoni dizajnin ose përballuni me miliarda euro gjoba

Bashkimi Evropian i ka kërkuar TikTok që të ndryshojë atë që e cilëson si “dizajn varësie” të platformës, përndryshe rrezikon gjoba të rënda financiare për shkelje të rregullave evropiane mbi sigurinë online.

Ky paralajmërim vjen pas një hetimi të nisur nga Komisioni Evropian në shkurt 2024 ndaj aplikacionit në pronësi kineze. Në gjetjet paraprake, Komisioni ka konstatuar se TikTok nuk ka vlerësuar siç duhet rreziqet që funksione si autoplay dhe algoritmet e përmbajtjes mund të kenë mbi mirëqenien e përdoruesve, veçanërisht të fëmijëve dhe të rinjve.

Sipas BE-së, platforma nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme për të kufizuar këto rreziqe. Një zëdhënës i TikTok i tha BBC-së se gjetjet janë “tërësisht të pabazuara” dhe se kompania do t’i kundërshtojë ato zyrtarisht. TikTok është ftuar të paraqesë përgjigjen e saj ndaj Komisionit Evropian.

Në varësi të përfundimeve përfundimtare, Komisioni mund të vendosë një gjobë deri në 6% të xhiros globale vjetore të kompanisë, e cila përllogaritet në disa miliarda euro.

Komisionerja e BE-së për teknologjinë, Henna Virkkunen, deklaroi se TikTok duhet të “ndryshojë dizajnin e shërbimit të saj në Evropë” nëse dëshiron të shmangë sanksionet. Ajo përmendi masa konkrete si kufizimi i kohës së ekranit gjatë natës, ndryshime në algoritmet e personalizimit dhe çaktivizimin e funksionit “scroll i pafund”.

“Ligji për Shërbimet Dixhitale i bën platformat përgjegjëse për ndikimin që kanë mbi përdoruesit e tyre,” tha Virkkunen, duke shtuar se mbrojtja e fëmijëve dhe qytetarëve online është prioritet për BE-në.

Analisti i mediave sociale, Paolo Pescatore, e përshkroi vendimin si një “sinjal paralajmërues” jo vetëm për TikTok, por për të gjitha platformat sociale, duke theksuar se fokusi po zhvendoset nga rritja e angazhimit drejt përgjegjësisë digjitale.

Ndërkohë, Sonia Livingstone, profesoreshë në London School of Economics, tha se megjithëse TikTok ka ndërmarrë disa hapa për sigurinë online, ato mbeten të pamjaftueshme sipas standardeve të BE-së.

“Të rinjtë po kërkojnë ndryshime reale,” theksoi ajo, duke shtuar se ata ndihen të zhgënjyer kur mirëqenia e tyre vihet pas fitimit.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA